100 vjetorin i lindjes së aktores Liza Vorfi! Nderim dhe respekt për figurën e saj!
- Korca Boom
- Oct 9, 2024
- 2 min read
https://sq.korcaboom.com/wp-content/uploads/2024/10/462119246_560385116502566_6665828252324782134_n.jpg
Kujtojmë sot 100 vjetorin e lindjes së aktores Liza Vorfi! Nderim dhe respekt për figurën e saj!
Liza Vorfi. (1924-2011). Aktore. Lindi në Tiranë, më 9 tetor. Talenti i saj nisi udhë si këngëtare në “Radio Tirana”, më 1939. Me pas ndoqi për një vit studimet e larta për muzikë në Konservatorin e Romës e më pas, për dy vjet në Pezaro, por i ndërpreu për shkak të luftës dhe u kthye në Shqipëri.
Ishte nga aktoret e para themeluese të Teatrit të Shtetit , më 1945, dhe punoi aty derisa doli në pension, në vitin 1974. Luajti në skenën e tij mbi 80 role natyrale të ndryshme, disa syresh role kryesore dhe protagoniste. U shqua qysh në fillim për emocionalitetin e lartë organik të aktrimit, si u pa te “Karakteri moskovit” (Krushkova), “Lidhja e mrekullueshme” (Natasha), “Invadimi” (Ollga), “Tartufi” (Elmira) etj.
Përjetimi i thelluar i botës shpirtërore të personazheve me mbartje tragjike e dramatike , në lojën e saj shpërfaqej, herë-herë, nëpërmjet qasjeve me kahe të forta poetike, lirike e romantike, sikundër u vu re në rolin e Desdemonës te tragjedia “Otello” e Shekspirit, ashtu sikundër edhe atyre me spikama të thuketa dramatike e nevrotike, sikurse qe interpretimi i Martirionës te drama “Shtëpia e Bernarda Albës” e F. G. Lorkes.
Pas kësaj prirje kryesore, talenti i saj gjeti shprehje po aq të plotë edhe në njëmendësimet e figurave që vinin nga tipa të ndryshëm të komedisë, sikundër qenë: Dorina te “Borgjezi fisnik” e Molierit, Juliashevicova te “Morali i zonjës Dulska” e Zapolskes, Beatriçia te “Shërbetori i dy zotërinjve” e Goldonit, Dona Luçia te “Karnavalet e korçës e Spiro Comorës.
Në lojën e saj spikatin tonimet psikologjike , shoqëruar me një ndjeshmëri të thellë, të ndryshme, burimore, si në realizimin e figurës së Martës te “Përmbytja e madhe” e Loni Papës etj. Veçoritë e aktrimit pasionant e realist të Liza Vorfit u shfaqën në forma të plota dhe të drejtpërdrejta në shumë shfaqe ku mori pjesë, si: “Për ata që janë në det”, “Halili dhe Hajria”, “Toka jonë”, “Proçesi i Lajpcigut”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Zonja e bujtinës”, “Mirandolina”, “Përmbysja”, “Majlinda”, “Ljubov Jarovaja”, “Xhaxha Vanja”, “Përkolgjinajt”, “Bashkë me agimin”, “Lumi i vdekur” etj.
Liza Vorfi ka luajtur edhe në 7 filma, ndër ta: “Furtuna”, “Debatik”, “Komisari i dritës”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” etj. Mban titullin “Artiste e Merituar”. Në 11 Korrik të vitit 2009 Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bamir Topi për veprimtarinë e saj artiske nderoi Liza Vorfin me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”. Ndahet nga jeta ne 29 Janar te vitit 2011.
REDAKTUAR nga:
“KORÇA BOOM”