top of page

Ali Sowe ish-i i Skënderbeut sot luan në Turqi me Rizespor ka shënuar 11 gola!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Feb 18, 2025
  • 2 min read

Kujtojmë ata që kemi pas…!

Lojtari që shihni në foto është Ali Sowe. Çdo tifozi të Skënderbeut i kujtohet sezoni 2017-2018 kur ia “shpërtheu” me gola me fanellën bardhekuqe në Shqipëri dhe u shpall golashënuesi i Superiores.

Konfirmi i dënimit për ekipin tonë bëri që dhe ai si shumë të tjerë t’i jepte lamtumirën Korçës.

Këtë sezon, tashmë në moshën 30-vjeçare, Sowe luan në Superligën e Turqisë me ekipin e Rizespor, ku mban dhe numrin 9 mbi shpinë.

Sot sulmuesi nga Gambia i shënoi Gallatasarait dhe shkoi në kuotën e 11 golave këtë sezon në Superligën e Turqisë. Dy javë më parë i shënoi dhe dy gola Fenerbaçes.

Plot 11 gola të realizuar nga aksioni dhe asnjë prej tyre me penallti.

11 gola në një kampionat ku luajnë sulmues si Osimhen, Dzeko, Immobile, Morata, Piatek, En Nesyri, etj.

Luan në të njëjtin kampionat ku luan dhe Rey Manaj, i cili këtë sezon ka shënuar vetëm 7 gola, disa prej tyre me penallti, por mediat nuk heshtin së lartësuari atë javë pas jave dhe ai konsiderohet aktualisht sulmuesi titullar te Shqipëria.

Ali Sowe është thjesht një shembull se në çfarë niveli ka qenë Skënderbeu dhe çfarë lojtarësh ka patur në ekip.

Sot, Presidenca e Skënderbeut, “të errësuar” sytë pas parasë shitën edhe një tjetër “yll” momental të ekipit, Mario Rabiun, dhe ekipi është me një këmbë në Kategorinë e Parë.

Duket se nxitimi për të fituar para shpejt, të nxjerr gabuar me planin afatgjat, ku sezonin tjetër në Kategorinë e Parë lojtarët që do shiten do jenë me pikatore dhe me shifra qesharak.

Nëse Skënderbeu qëndronte në Superiore, vera do të vinte sërish, lojtarë do të shiteshin sërish dhe sezonin e ardhshëm do të gjeneroheshin të njëjtat të ardhura.

Gjithsesi, nuk na mbetet gjë tjetër veç se të shpresojmë dhe të urojmë rikshimin sa më shpejt në nivelet e larta që kemi qenë dikur dhe bardhekuqtë t’i shohim sërish kampionë…

 “KORÇA BOOM”

 
 
bottom of page