Diabi-Fleçer / Skënderbeu me dy “ujqër” Made in Guine-Xhamajkë…!
- Aug 13, 2023
- 1 min read
Skënderbeu duket se është kompletuar dhe tashmë e ka plotësuar edhe vijën e parë, aty ku kishte edhe boshllëqe. Kishte ditë të tëra që drejtuesit e klubit po kërkonin sulmues, pasi dihet që superliga është e gjatë dhe duhen lojtarë që të shënojnë.
Ditën e djeshme ka qenë portali “Korça Boom” që ka zbuluar edhe afrimin më të fundit, atë të sulmuesit nga Guinea, Muhamed Diabi. Me ardhjen e tij duket se edhe sulmi është kompletuar sipas dëshirës që kishte trajneri Ivan Gvozdenoviç.
Bashkë me Zhordan Fleçer, tashmë janë dyshja e deklaruar e sulmit të Skënderbeut. Por, duhet të presim akoma, pasi edhe njëshi i stolit bardhekuq s'e ka dhënë opinionin e tij përfundimtar për sulmuesin që sapo mbërriti nga Guinea.
Gjithsesi kjo duket se do të jetë dyshja e sulmit të Skënderbeut. Dy “ujqër” që njëri vjen nga Guinea dhe tjetri nga Xhamajka. Asnjëherë në historinë e klubit nuk ka pasur një dyshe të tillë nga këto dy shtete, ndërkohë që sinjalet janë të mira dhe këta të dy duket se do të shënojnë golat te Skënderbeu.
Një Skënderbe vërtet ndryshe, ndërkohë që në letër Skënderbeu duket i bërë, por të presim dhe të shohim në fushë se çfarë do të bëjnë.
















