top of page

Ernest Gjoka: Skënderbeu vetëm për 3 pikë sot në Shkodër!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Mar 15
  • 2 min read

Humbja e fundit me Partizanin ka lënë shije të hidhur te Skënderbeu, që ishte duke kaluar një moment pozitiv. Korçarët do të mundohen ta hedhin pas këtë humbje dhe të përqëndrohen te ndeshja e radhës atë të sotme ndaj Vllaznisë në Shkodër. Për trajnerin Ernest Gjoka, rezultati i ndeshjes me Partizanin nuk ishte i merituari, pasi sipas tij skuadra është duke luajtur një futboll cilësor dhe i ka të gjitha mundësitë për t’iu larguar fundit të tabelës.

Sa i përket ndeshjes së radhës kundër Vllaznisë në transfertë, Gjoka u shpreh se skuadra e tij nuk ka asgjë për të humbur dhe shkon në Shkodër për 3 pikët: “Mund të them se u ndalëm në lidhje me rezultatin e ndeshjes së fundit pasi vinim nga një sërë rezultatesh pozitive dhe kjo humbje na e ndali disi vijimësinë. Por vrulli jo, nuk mendoj se një humbje e tillë mund të na ndalë vrullin dhe dëshirën që kemi për të bërë mirë në këtë fund kampionati. E them këtë pasi ekipi prodhoi dhe pati rastet e veta. Nëse do të kishim shënuar goli e dytë, atëherë sot do të flisnim për tjetër rezultat dhe tjetër histori. Jemi koshientë dhe të flasim realisht ne na duhej rezultati maksimal patjetër, por nuk arritëm dot të administrojmë avantazhin e krijuar në pjesën e parë. Për këtë na vjen shumë keq.”

Në lidhje me mungesat në këtë ndeshje, Ernest Gjoka ka theksuar: “Kemi një mungesë të sigurt siç është Juri Merlim, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të lejuar dhe për pasojë është jashtë ekipit për këtë takim. Balaj vijon ende të jetë i diferencuar për shkak të një dëmtimi që e vuan prej javësh. Pjesa tjetër ka treguar sinjale të mira dhe do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Vllaznisë.”

Së fundi, në lidhje me objektivin e ndeshjes së sotme në Shkodër, Gjoka ka përfunduar: “Unë kam javë që e them se Skënderbeu nuk ka asnjë alternativë tjetër veç fitores në çdo ndeshje që luan nga tani e deri në fund. Do të shkojmë për tri pikët kudo edhe në Shkodër. Lufta është shumë e fortë, por unë besoj se skuadra do të dijë të bëjë maksimumin në një ndeshje të tillë.”

 “KORÇA BOOM”

 
 
bottom of page