Niko Peleshi: Fushata e parë pa një mik të veçantë!
- Mar 20, 2025
- 1 min read
Fushatat politike kanë shumë fjalë, shumë premtime, debate, grindje brenda dhe jashtë llojit, shkurt shumë pragmatizëm. Por fushatat fituese kanë disa elemente të tjerë, të padukshëm, që i bëjnë të tilla. Një prej tyre është emocioni, pra vokacioni që buron nga qëllimi i mirë publik.
Pragmatizmi zgjedhor është aq i fortë sa ngelet pak vend për këtë pjesë shpirtërore. Vetëm njerëzit e afërt dhe miqtë e veçantë, shumë të veçantë, ta kuptojnë dhe ta ushqejnë me dashamirësi. Një nga këta, më i veçanti, ishte Vaska. Në fund të çdo dite të lodhshme fushate unë shkoja te salloni i tij.
Doja të dëgjoja fjalën e mirë dhe të butë të një korçari të rrallë, të një socialisti shumë më të vjetër se unë (ndonjëherë më dukej si socialisti i pari dhe socialisti i fundit), të një miku që shqetësohet për shqetësimet e tua sikur të ishin të tijat. Nuk i harroj sytë e Vaskës që tentonin të depërtonin në parashikimet e mia për rezultatin, pak para se të fillonte numërimi i votave.
Këtë herë Vaska, pika e referimit në fushatat e mia, do të mungojë.
Mbase pakkush e kupton madhështinë e njeriut të thjeshtë por unë vendosa ta ndaj me ju këtë ndjesi boshllëku, edhe si apel për të mos harruar se para se të jemi politikanë, jemi njerëz me zemër.
Mbase na vlen të gjithëve për t’u bërë më të mirë.
“KORÇA BOOM”
















