Super Saleh Nasr, 452 minuta 4 gola/ Po e zëvendëson denjësisht Ermir Rashicën
- Korca Boom
- Mar 16
- 2 min read
Erdhi te Skënderbeu në merkaton dimërore për të zëvendësuar Ermir Rashicën dhe këtë gjë duket se e ka bërë më së miri deri në këto momente edhe pse ka luajtur vetëm 6 ndeshje, ku edhe këto jo të plota.
Një fitore shumë të rëndësishme arriti Skënderbeu në Shkodër ditën e djeshme dhe fale dygolëshit të Saleh Nasr. Djaloshi 25-vjeçar kujtojmë që ishte pjesë e Teutës, ndërkohë që në merkaton dimërore pranoi të kalonte po në superligë, por me fanelën bardhekuqe, atë të Skënderbeut.
Në 6 ndeshje në total deri në këto momente, kujtojmë që edhe këto nuk i ka luajtur të plota me Skënderbeun, 452 minuta dhe ka shënuar 4 gola, (2 dygolësha), ndaj Bylisit dhe dje ndaj Vllaznisë. Një mesatare fantastike dhe një lojtar që po spikat nga ndeshja në ndeshje me Skënderbeun.
Krahu i majtë i sulmit, duket se tashmë është plotësuar dhe mungesa e Ermir Rashicës nuk po ndihet aspak. Skënderbeu ka treguar qartë se di të godasë në merkato dhe këtë gjë bëri edhe në merkaton dimërore, pasi përveç Nasr, janë edhe të tjerë, si, Felipe, Sabo, apo edhe të tjerë që po spikasin me Skënderbeun.
Skuadra po funskionon vërtet mirë dhe Skënderbeu duhet të ndeze edhe më shumë “motorët”, teksa kanë mbetur edhe 6-të javë deri në fund dhe shanset për të shpëtuar janë të mëdha, njësoj si skuadrat e tjera të fundtabelës.
Jo më kot edhe dje lojtari i ndeshjes u zgjodh Saleh Nasr, 25-vjeçari që ka marrë komplimenta për atë që po bën me Skënderbeun. Pritet edhe më shumë nga egjiptian që nuk shkëlqeu shumë te Teuta, por te Skënderbeu në kaq pak kohë po shkëlqen me fanelën bardhekuqe.
“KORÇA BOOM”
