Volejboll: Ja cila është “fatkeqësia” e Skënderbeut sipas Pandush Kapedanit
- Korca Boom
- Mar 18
- 1 min read
Skuadra korçare e volejbollit për femra nuk ka mundur dot të fitojë trofeun e radhës, pasi u mund në finalen e Kupës së Shqipërisë nga Tirana.
Ish–ikona e lojës së rrjetës, Pandush Kapedani, ka bërë një koment mbi këtë ndeshje, duke renditur disa faktorë që ndikuan në rezultatin përfundimtar: “Së pari, do të thosha se dëmtimi i lojtares kryesore në pozicionin 4 te Skëndërbeu ka ndikuar shumë dhe kjo ka sjellë një rënje të lojës sulmuese dhe forcës. Megjithatë, pas kësaj, nuk ka pasur shumë ndryshime në zëvendësimet që u bënë. Besoj se diferenca e vetme që vendosi fatet e kësaj ndeshjeje ishin momentet e gabimeve të bëra”.
Por Kapedani shkon edhe më tej duke analizuar situatën në tërësi: “Skëndërbeu tek femrat dhe Partizani tek meshkujt kanë një fatkeqësi, dhe kjo lidhet me faktin se kampionati ynë nuk ka rivalitet të fortë. Janë një ose dy ekipe që mund t’i rezistojnë dhe të tjerët janë shumë larg. Kjo sjell që ekipi nuk mund të arrijë një nivel të lartë motivimi përballë kundërshtarëve të pafuqishëm. Kush ka luajtur volejboll e kupton se sa rëndësi ka kjo. Duhet që çdo javë të ketë rivalitet, pasi ai ndihmon shumë në tonusin e lojës dhe rritjen e niveleve”.
Gjithsesi, korçaret kanë para një sfidë të madhe për titullin kampion dhe kjo është, natyrisht, një rëndësi shumë e madhe. Është trofeu që tregon edhe një herë se Skëndërbeu nuk do të largohet nga titulli i kampionit.
“KORÇA BOOM”