top of page

Çmimi i Madh i Spanjës – Barcelona – Raundi IX i Botërorit: 30-31 Maj – 1 Qershor

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • May 31, 2025
  • 2 min read

2025 FIA Formula 1 – Kampionati Botëror


➤ Çmimi i Madh i Spanjës – Barcelona – Raundi IX i Botërorit: 30-31 Maj – 1 Qershor

➤ Kualifikueset F1 – Barcelona

Pol Pozicion: Oscar Piastri (McLaren)

● Top 3: Piastri – Norris – Verstappen (Leclerc P7 – Tsunoda P20)

● Pol Pozicion për Oscar Piastri në Barcelonë – Piloti australian, ashtu siç dominoi sesionet stërvitore të fundjavës, dominoi edhe sot në kualifikueset zyrtare.


Të shtunën, më 31 maj, nga ora 16:00 deri në 17:00 (sipas zonës kohore evropiane), u zhvillua sesioni zyrtar i kualifikueseve për rrjetin e nisjes së garës së së dielës – GP Spanja, gara e nëntë e Kampionatit Botëror të Formula 1 për vitin 2025, dhe njëkohësisht gara e fundit e triptikut evropian (Imola – Monaco – Spanjë).

Një sesion kualifikues shumë i luftuar në qarkun e Montmelós, ku ekipi për t’u mundur ishte padyshim McLaren.


Kualifikueset u zhvilluan normalisht, pa incidente apo ndalime, dhe lufta për pozicionet e para ishte mes McLaren-it dhe pjesës tjetër të rrjetit. Vetëm një pilot si Max Verstappen arriti disi t’i rivalizojë, deri diku edhe George Russell me Mercedes, ndërsa pjesa tjetër mbeti mjaft prapa – veçanërisht Ferrari.


Suprizat e pakëndshme u shfaqën që në fillim, kur pilotë të ekipeve të mëdha si Yuki Tsunoda me Red Bull dhe piloti vendas me Williams, Carlos Sainz, u eliminuan. Tsunoda përfundoi në P20.


Më pas, në Q2, arritën të kalojnë në dhjetëshen e parë pilotë si Hadjar, Gasly dhe veterani Alonso – përveç atyre të ekipeve të mëdha.


Q3, sesioni final për pol pozicionin, ishte i luftuar, por në fund gara u reduktua në një duel mes dy pilotëve të McLaren. Një Max Verstappen i vetëm nuk mundi të sfidonte superioritetin e makinave të Woking.


Në fund të kualifikueseve, në matjet e fundit, piloti australian Oscar Piastri siguroi pol pozicionin me kohën 1:11.546, duke mposhtur shokun e tij të skuadrës, britanikun Lando Norris, i cili u rendit në vend të dytë. Pas dy McLaren-ëve, vendi i tretë i takoi kampionit holandez të Red Bull, Max Verstappen.



Pas Top 3, George Russell (Mercedes) ishte më i miri nga "të tjerët", duke lënë pas ish-shokun e skuadrës, tashmë pilot i Ferrarit, Sir Lewis Hamilton (P5). Vendi i gjashtë për pilotin italian të Mercedes, Kimi Antonelli. Vetëm pozita e shtatë për monegaskun e Ferrarit, Charles Leclerc, në një ditë jo të mirë. Pas tij u rendit francezi me Alpine, Pierre Gasly (P8).

Dhjetëshen e parë e mbyllin Isack Hadjar me Visa RB dhe Fernando Alonso me Aston Martin.


Jashtë Top 10, siç u përmend më herët, mbeti piloti i dytë i Red Bull, “i përzgjedhuri i Helmut Marko-s”, Yuki Tsunoda (P20), si dhe pilotët e Williams: Albon (P11) dhe Sainz (P18). Renditjen e kualifikuesve e mbylli argjentinasi me Alpine, Franco Colapinto në P19, i cili shoqërohet nga Tsunoda në fundin e rrjetit.


GARA

E diel – Ora 15:00Distanca: 4.657 km – 66 xhiro – 307.236 km



“KORÇA BOOM”



bottom of page