13 vjedhje në dy javë, shqiptarët zbulojnë një skemë kriminale
- Korca Boom
- Aug 25
- 1 min read
Policia greke në Mykonos ka arrestuar katër shtetas shqiptarë, të moshës 21, 24, 25 dhe 36 vjeç, të cilët dyshohet se kishin formuar një grup kriminal që kryente në mënyrë të vazhdueshme vjedhje me thyerje në shtëpi luksoze dhe akomodime turistike në ishull.
Nga hetimet e zhvilluara dhe analiza e provave të mbledhura, autoritetet greke kanë identifikuar gjithsej 13 raste vjedhjesh dhe tentativash vjedhjeje, të kryera në periudhën 6–20 gusht 2025. Vlera e përgjithshme e dëmit të shkaktuar arrin në mbi 130,000 euro. Një pjesë e sendeve të vjedhura është rikuperuar dhe u është kthyer pronarëve.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, autorët kishin organizuar një operacion të mirëstrukturuar, duke synuar sende me vlerë të lartë, si para, bizhuteri, orë luksi dhe aksesorë të markave të njohura. Për zbardhjen e veprimtarisë kriminale u krijua një grup i posaçëm hetimor, i cili arriti të identifikojë dhe ndalojë autorët.
Gjatë kontrollit në akomodimin ku të dyshuarit qëndronin përkohësisht, policia sekuestroi:
bizhuteri të çmuara (ora, vathë, unaza)
aksesorë të markave të njohura (çanta, portofola, rripa, syze dielli, kapele)
veshje dhe këpucë nga firma të njohura
para cash: 3395 euro, 50 dollarë amerikanë, 10 franga zvicerane, 215 leva bullgare dhe 400 lekë shqiptare
doreza, lente dhe veshje të përdorura gjatë vjedhjeve
4 telefona celularë
Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Sirosit, ndërsa ndaj tyre është ngritur padi penale për krijim të grupit kriminal, si dhe për vjedhje të kryera në bashkëpunim dhe në vazhdimësi.
“KORÇA BOOM”



















