Aksident tragjik, humb jetën një 71-vjeçare e përplasur nga një oficer policie
- Korca Boom
- Oct 3
- 1 min read
Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësoreje ka ndodhur mbrëmjen e sotme, rreth orës 19:00, në aksin rrugor “Gjirokastër-Kakavije”, në afërsi të fshatit Grapsh.
Viktima është identifikuar si K. H., rreth 71 vjeçe, e cila u përplas nga një automjet ndërsa ishte duke lëvizur në këmbë. Përplasja ka qenë fatale, pasi e moshuara ndërroi jetë në vendngjarje.
Automjeti ishte duke u drejtuar nga shtetasi A. M., 55 vjeç, oficer policie pranë Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër. Ai ndodhej në rrugë për në detyrë kur ndodhi aksidenti.
Menjëherë pas ngjarjes, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndodhen në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të kryer dokumentimin ligjor të rastit.
“KORÇA BOOM”



















