top of page

Akuza të forta nga Edmond Spaho: "Sot protestojnë ata që gabuan me votën"

  • 5 days ago
  • 1 min read

Eh, sa keq do të më vinte për ta!


Por, në fund të fundit, nuk e meritojnë keqardhjen.


Një pjesë e mirë e votuesve në Bashkinë Maliq, majtas e djathtas, për disa para, premtime apo interesa të momentit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 zgjodhën të votonin kandidatët e PS-së dhe PD-së nga qyteti i Korçës, duke lënë mënjanë kandidatët që përfaqësonin vetë Maliqin, pavarësisht bindjeve politike.


Për herë të parë në 35 vite pluralizëm, Maliqi mbeti pa asnjë deputet në Parlament. Një zhvillim i paprecedentë për një zonë që në shumicën e legjislaturave ka pasur jo një, por edhe dy përfaqësues, madje emra me peshë si në Partinë Demokratike, ashtu edhe në Partinë Socialiste.


Sot, të njëjtët njerëz dalin në protesta, marrin fjalën dhe u bëjnë thirrje deputetëve të Korçës të mos votojnë reformën territoriale që prek Maliqin. Një paradoks i madh.


Është e vështirë të kërkosh solidaritet nga ata që i zgjodhe vetë, ndërkohë që përfaqësuesit e zonës sate i le pa mbështetje. Në fund të fundit, çdo zgjedhje ka pasojat e saj.


Herën tjetër, votuesit e Partisë Demokratike në Bashkinë Maliq duhet të mendojnë më mirë për votën e tyre. Mos ndiqni verbërisht udhëzimet e drejtuesve që ju kërkojnë të votoni kandidatë nga jashtë zonës, sepse kur vjen momenti për të mbrojtur interesat e Maliqit, ata nuk janë më aty.


Sot, as ata që ju orientuan dikur nuk janë pranë jush. Ndërsa pasojat e atyre zgjedhjeve i përballon vetë Maliqi.

“KORÇA BOOM”


bottom of page