top of page

Andrea Mano: Ju falënderoj me përulësi dhe mirënjohje të thellë dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • May 16
  • 2 min read

Të dashur qytetarë, miq e bashkëudhëtarë të së njëjtës shpresë.

Ju faleminderit që më bëtë të ndjej se nuk isha vetëm në këtë rrugëtim sfidues drejt Shqipërisë Madhështore!


Në një kohë kur fjalët shpesh zbehen para emocioneve, më lejoni të flas me zemrën në dorë: ju jam thellësisht mirënjohës.

Faleminderit që më besuat, që më besuat jo thjesht votën, por zërin, amanetin, të drejtën për të qenë përfaqësuesi juaj në një betejë të ndershme e të vështirë.


Edhe pse si forcë politike nuk arritëm rezultatin që shpresuam, rruga jonë nuk mbaron këtu.

Unë ndjej përgjegjësi, ndjej krenari dhe mbi të gjitha ndjej detyrimin që ta kthej këtë besim që më dhatë, në punë, në zë, në përfaqësim edhe jashtë sallave të Parlamentit. Sepse përfaqësimi i vërtetë nuk nis e nuk mbaron me një karrige. Ai nis nga dëgjimi, nga qëndrimi pranë njerëzve, nga guximi për të folur kur të tjerët heshtin, nga përulësia për të kuptuar se politika është shërbim, jo privilegj.


Ajo që unë mora prej jush është më e madhe se çdo mandat: mora nderin e një besimi të pastër, të sinqertë, që nuk matet me numra, por me zemër.


Ju më pritët në shtëpitë tuaja, më folët me shpirt, më treguat hallet, problemet, shqetësimet dhe ëndrrat tuaja. Ju më dhatë forcën për të besuar se politika mund të jetë e pastër, mund të jetë njerëzore, mund të jetë shërbim. Nuk ka mandat më të madh sesa shërbimi ndaj jush dhe këtë angazhim do e mbaj të gjallë, me po atë përulësi dhe përkushtim si ditën e parë që i hyra këtij rrugëtimi para 34 vitesh si anëtar i Partisë Demokratike kur isha student, si student i dhjetorit , dhe 24 vitesh jetë aktive politike.


Unë nuk do ta harroj asnjëherë mbështetjen tuaj. Sepse ajo që më latë në dorë nuk është një rezultat – është një përgjegjësi që nuk varet nga një mandat. Është përgjegjësia për të mos u dorëzuar.


Rruga jonë nuk mbaron këtu. Zërat tanë nuk heshtin me një votim. Qëllimi dhe vlerat për të cilat u ngritëm do të na udhëheqin edhe më tej.

Unë mbetem mes jush, njësoj si më parë – me përulësi, me përkushtim, dhe me dashuri të sinqertë për secilin prej jush që më besoi.


Unë do të jem aty ku janë njerëzit, aty ku duhet guxim, aty ku ka nevojë për zë dhe për drejtësi, për një të ardhme më të drejtë, më të denjë dhe më të mirë për të gjithë ne.

Ju falënderoj me përulësi dhe mirënjohje të thellë. Zoti ju shpërbleftë për çdo fjalë, për çdo dorë, për çdo shpresë e besim që më dhatë. Qoftë kjo mirënjohje dritë për ju e për ata që doni.

Ju faleminderit dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!


“KORÇA BOOM”



bottom of page