top of page

Asnjë sinjal për futbollistët e huazuar, ende në pritje

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • May 7
  • 1 min read

Nga sezoni i kaluar, një numër i konsiderueshëm futbollistësh të rinj dhe premtues të Skënderbeut u huazuan në ekipe të ndryshme, me synimin që të fitonin më shumë minuta loje dhe të zhvilloheshin më tej si lojtarë. Në atë kohë, ky vendim u pa si një hap pozitiv për të mos i mbajtur në stol në Korçë, por për t’u dhënë hapësirë për të treguar vlerat e tyre në fushë.


Dhe realisht, pjesa më e madhe e tyre e ka justifikuar këtë vendim me paraqitje të denja. Lojtarë si Dervishaj, Peçani, Qeleshi, Grezda, Lamellari, Beçka, Ivani, Hasa dhe Kapllani kanë qenë titullarë të padiskutueshëm në skuadrat ku janë huazuar, duke marrë përgjegjësi dhe duke u rritur si sportistë.


Megjithatë, në prag të përgatitjeve për sezonin e ri, nuk ka ende asnjë sinjal konkret nga ana e klubit korçar lidhur me të ardhmen e këtyre lojtarëve. Burime të afërta me lojtarët bëjnë me dije se deri tani nuk është zhvilluar asnjë kontakt apo komunikim zyrtar për t’u informuar mbi planet e klubit, nëse ata do të rikthehen në skuadër apo do të vijojnë huazimin diku tjetër.


Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi qasjen e drejtuesve të Skënderbeut, të cilët aktualisht ndodhen në pushime së bashku me stafin teknik, sipas informacioneve të fundit. Gjithçka mbetet për t’u parë në javët në vijim, kur pritet të zgjidhen çështje të rëndësishme rreth formimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm.


“KORÇA BOOM”



bottom of page