top of page

Debat i fortë në Universitetin e Mjekësisë, staf dhe studentë të habitur nga vendimi

Jun 17
2 min read

Një zhvillim i fundit në Universitetin e Mjekësisë ka ngjallur diskutime dhe reagime në radhët e stafit akademik dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë Dentare.


Sipas informacioneve të bëra publike, dekania e fakultetit, Silvana Bara, i është drejtuar Rektoratit me një kërkesë zyrtare për lirimin nga detyra të drejtueses së Departamentit, Prof. Dr. Edit Xhajankës, ish-dekane e këtij fakulteti.


Pas publikimit të lajmit, zhvillimi ka tërhequr menjëherë vëmendjen e studentëve dhe pedagogëve, shumë prej të cilëve janë shprehur të habitur nga kjo nismë, duke e konsideruar atë të papritur.


Gjatë bisedave të zhvilluara në ambientet e fakultetit, studentët dhe anëtarë të stafit akademik kanë vlerësuar kontributin shumëvjeçar të Prof. Dr. Edit Xhajankës në jetën akademike të Fakultetit të Mjekësisë Dentare.


Sipas tyre, ajo ka qenë një nga zërat më aktivë në mbrojtje të interesave të institucionit dhe në përmirësimin e standardeve të arsimit stomatologjik.


Për këtë arsye, shumë prej tyre shprehen se e kanë të vështirë të kuptojnë arsyet që kanë çuar në kërkesën për largimin e saj.

Çështja ka marrë vëmendje edhe për shkak të historikut profesional mes dy pedagogeve. Për disa vite, Silvana Bara ka ushtruar detyrën e zv.dekanes gjatë periudhës kur fakulteti drejtohej nga Prof. Dr. Xhajanka, periudhë që kolegë të tyre e konsiderojnë të rëndësishme për formimin e saj profesional dhe ngritjen në karrierë.


Burime pranë universitetit bëjnë me dije se mospajtimet mes tyre janë bërë më të dukshme gjatë viteve të fundit, kryesisht për mënyrën e trajtimit të problematikave që lidhen me funksionimin e fakultetit.

Në mbledhje të ndryshme të Dekanatit dhe Senatit Akademik, Prof. Dr. Xhajanka ka qenë ndër zërat që kanë kërkuar më shumë transparencë dhe reagim institucional ndaj çështjeve të ngritura.

Sipas të njëjtave burime, ish-dekania ka paraqitur vazhdimisht shqetësime dhe kërkesa për sqarime pranë strukturave universitare lidhur me administrimin e fakultetit dhe realizimin e objektivave të shpallura nga drejtuesit aktualë.


Ajo ka zgjedhur t’i adresojë këto problematika jo vetëm pranë organeve të Universitetit të Mjekësisë, por edhe pranë institucioneve shtetërore përgjegjëse për arsimin e lartë.

E njohur për kontributin e saj në fushën e stomatologjisë, Prof. Dr. Edit Xhajanka drejtoi Fakultetin e Mjekësisë Dentare për dy mandate radhazi. Gjatë kësaj periudhe u zgjeruan bashkëpunimet ndërkombëtare dhe u ndërmorën nisma të rëndësishme për modernizimin e programeve dhe strukturave akademike.


Ndërkohë, disa nga personat e intervistuar kanë vënë në dukje se karriera e dekanes aktuale ka njohur një ngjitje të shpejtë në strukturat drejtuese të fakultetit.

Megjithatë, ata theksojnë se debati i krijuar nuk duhet të dëmtojë klimën akademike dhe se çdo vendimmarrje duhet të mbështetet mbi procedura transparente, respekt institucional dhe vlerësim objektiv të kontributeve profesionale.


Burime bëjnë me dije se çështja është diskutuar edhe në mbledhjen e Senatit Akademik të datës 9 qershor, ku Prof. Dr. Xhajanka është njohur me procedurën e nisur ndaj saj.

Sipas informacionit të disponueshëm, ajo nuk kishte qenë më herët në dijeni të hapave të ndërmarrë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page