Devolli gati të “peshkojë” në Pogradec, nis merkatoja e parakohshme
- Korca Boom
- May 9
- 1 min read
Edhe pse sezoni i ri në Kategorinë e Dytë ku bën pjesë ekipi i Devollit është ende më shumë se dy muaj larg, drejtuesit e klubit kanë nisur që tani të mendojnë për përforcimet.
Sipas burimeve të afërta me klubin, Devolli ka filluar kontaktet e para me disa lojtarë që këtë sezon kanë qenë pjesë e Pogradecit.
Bëhet fjalë për futbollistë korçarë të cilët nuk kanë pasur shumë hapësira në formacionin e parë të liqenorëve dhe me shumë gjasa nuk janë në planet kryesore për sezonin e ri. Kjo situatë mund të përforcohet edhe më tej nga afrimet cilësore që pritet të bëjë Pogradeci, që siç dihet ka objektiv ngjitjen në Superligë.
Devolli, nga ana tjetër, po bën llogaritë për të përfituar në kohën e duhur. Nëse këta lojtarë nuk gjejnë hapësira as te Skënderbeu, atëherë ekziston mundësia që të kalojnë ose të huazohen në Devoll, duke përforcuar ndjeshëm skuadrën për sezonin e ardhshëm.
Ky është një veprim strategjik nga klubi i devollit, që duket se dëshiron të ndërtojë një ekip konkurrues, duke shfrytëzuar mundësitë që i ofron tregu lokal dhe rajonal.
“KORÇA BOOM”
