top of page

Devolli nis lëvizjet për sezonin e ri: Ermir Lukra konfirmon mbështetjen e bashkisë...

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jun 26
  • 1 min read

Skuadra e Devollit ka nisur lëvizjet e para për përgatitjen e sezonit të ri futbollistik, pas një edicioni të kaluar zhgënjyes që nuk përmbushi pritshmëritë. Me një dëshirë të qartë për të qenë pjesë e elitës së grupit ku bën pjesë, drejtuesit kanë nisur punën në prapaskenë për të ndërtuar një ekip më konkurrues dhe më cilësor.


Ekzekutivi i klubit, Ermir Lukra, ka bërë të ditur se janë zhvilluar bisedimet e para me presidentin e klubit, i cili njëkohësisht është edhe kryetari i Bashkisë së Devollit, z. Eduard Duro. Në një prononcim Lukra është shprehur:


"Kanë filluar bisedimet me presidentin e ekipit dhe kryebashkiakun Eduard Duro, i cili na ka bërë me dije mbështetjen financiare që do të ketë klubi për sezonin e ardhshëm. Jemi duke punuar në mënyrë të organizuar dhe shumë shpejt do të bëjmë publike objektivat dhe mënyrën se si do të riformatohet skuadra për sezonin e ri. Besoj se jemi në kohë për gjithçka dhe u garantojmë tifozëve tanë se do të shohin një ekip cilësor."


Megjithatë, për momentin nuk është dhënë ende asnjë informacion zyrtar për përbërjen e stafit teknik. Lukra nuk ka konfirmuar se kush do të jetë trajneri apo ndihmësi i tij, por nga sa mësohet, pritet një takim i radhës me presidentin e klubit ku do të paraqitet një plan i detajuar për strukturën drejtuese dhe sportive të skuadrës.


Për tifozët e Devollit, këto janë sinjale pozitive se klubi është në lëvizje dhe me ambicie për të rikthyer dinjitetin dhe konkurueshmërinë që i mungoi sezonin e kaluar.

“KORÇA BOOM”


bottom of page