Dhuna nuk lind papritur – Avokati Kristiano Koçibelli: Suksesi i drejtësisë është parandalimi, jo thjesht arrestimi
- Aug 15, 2025
- 1 min read
Ngjarja tragjike e ndodhur dje në fshatin Pirg është një alarm i fuqishëm që duhet të na zgjojë të gjithëve. Vrasja e një të mituri nga bashkëmoshatari i tij tregon se shumë aktorë – nga familja, shkolla, institucionet sociale dhe ligjzbatuese – duhet të tregojnë kujdes të shtuar ndaj sjelljeve dhe sinjaleve të rrezikut tek të rinjtë.
Autori i kësaj ngjarjeje kishte shfaqur më herët sjellje problematike me natyrë kriminale, përfshirë edhe mbajtjen e armëve të zjarrit – vepra të dënueshme sipas Kodit Penal. Për fat të keq, kjo sjellje nuk u adresua me kohë.
Dhuna mes të rinjve nuk lind papritur. Ajo ushqehet nga mungesa e komunikimit, mungesa e mbështetjes emocionale dhe nga një shoqëri që shpesh hesht para shqetësimeve të vogla që më vonë shndërrohen në tragjedi.
Institucionet arsimore, sociale dhe ato të rendit duhet të jenë më vigjilente, të ndërhyjnë sapo të shfaqen sinjalet e para të rrezikut. Prindërit dhe mësuesit duhet të edukojnë fëmijët me vlera humane, me respekt për jetën dhe për njëri-tjetrin.
Çdo shenjë agresioni, çdo konflikt duhet të merret seriozisht dhe të trajtohet pa vonesë.
Kjo tragjedi duhet të shërbejë si thirrje për veprim – sot, jo nesër. Që të mos humbasim më jetë të tjera të pafajshme.
“KORÇA BOOM”
















