top of page

Draft-Kodi Penal/ 4 vite burg për ata që do prodhojnë e tregtojnë ushqime të dëmshme për shëndetin

  • Aug 31, 2025
  • 2 min read

Kodi i ri Penal parashikon shtimin e disa veprave penale që lidhen me sigurinë ushqimore, duke synuar ndëshkimin e prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve të pasigurta për konsum.


Ndryshimet përfshijnë dënime me burg për prodhimin e ushqimeve të rrezikshme, mashtrimin me produktet ushqimore, paraqitjen e rreme të tyre, si dhe shkeljet e shenjave të vendosura nga autoritetet shtetërore.


Sipas nenit 458, prodhimi, përpunimi, ruajtja, tregtimi, importimi apo eksportimi i ushqimeve dhe pijeve në kundërshtim me standardet ligjore, si dhe përdorimi i kimikateve apo lëndëve të dëmshme te kafshët dhe bimët që shërbejnë për konsum, dënohet me burg nga gjashtë muaj deri në katër vjet.


Një tjetër vepër e re është ofrimi i ushqimit të pasigurt, që përfshin therjen e kafshëve ose përdorimin e produkteve shtazore për konsum, duke e ditur se ato janë trajtuar me substanca të ndaluara. Për këtë shkelje parashikohet deri në katër vjet burgim. Po ashtu, penalizohet hedhja në treg e mishit ose produkteve shtazore pa respektuar periudhat e pritjes të përcaktuara me ligj.


Në nenin 460, parashikohet mashtrimi me produktet ushqimore, ku përfshihet importimi, prodhimi, ruajtja, falsifikimi, publiciteti ose tregtimi i ushqimeve me të dhëna të rreme për cilësinë, prejardhjen, kategorinë apo përbërjen e tyre. Për këtë vepër dënimi arrin deri në tre vjet burg.


Ndërsa paraqitja e rreme e produktit ushqimor, që lidhet me ndryshimin e të dhënave për skadencën apo përbërjen e produkteve, ose tregtimin e ushqimeve të destinuara për t’u bërë të papërdorshme, ndëshkohet me burg deri në gjashtë muaj.


Gjithashtu është kriminalizuar edhe prishja e shenjave të organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore, ku përfshihet heqja ose ndryshimi i shenjave bllokuese të vendosura nga autoriteti kombëtar i ushqimit. Në rastet kur aktiviteti vijon pavarësisht bllokimit, dënimi mund të arrijë deri në tre vjet burg.

“KORÇA BOOM”


bottom of page