Drejtësia greke e pamëshirshme ndaj trafikut të drogës/ Burgim i përjetshëm për tre shtetas shqiptarë
- Korca Boom
- Sep 23
- 1 min read
Selanik, 23 shtator 2025/ Gjykata e Apelit Penal në Selanik ka dënuar me burgim të përjetshëm tre shtetas shqiptarë, të akuzuar për trafik droge, pas sekuestrimit të mbi 21 kilogramëve kokainë në qershor të këtij viti.
Të pandehurit, të moshës 42, 40 dhe 45 vjeç, dy prej të cilëve janë vëllezër, u shpallën fajtorë si anëtarë të një grupi kriminal që vepronte në Greqi. Një pjesë e lëndës narkotike u gjet në një kompani qiraje makinash në Selanik, në pronësi të njërit prej tyre.
Gjatë hetimeve, policia greke sekuestroi gjithashtu një armë zjarri me karikator dhe 12 fishekë, si dhe shuma parash në monedha të ndryshme. Autoritetet e kanë cilësuar vendimin si një nga më të rëndat e dhëna ndonjëherë për këtë kategori veprash penale.
Dy nga të dënuarit mohuan akuzat, duke deklaruar se ishin të angazhuar në bizneset e tyre private – njëri në fushën e hotelerisë dhe tjetri në industrinë e qirasë së makinave. Ndërkohë, i treti pranoi përgjegjësinë për posedimin dhe ruajtjen e drogës.
Gjykata vendosi se rasti përbënte trafikim të veçantë droge, pa asnjë rrethanë lehtësuese, dhe vendosi masën më të rëndë ligjore. Pas shpalljes së vendimit, tre shqiptarët u rikthyen në qeli për të vuajtur dënimin.
“KORÇA BOOM”



















