top of page

U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohet 18-vjeçari sirian në Korçë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Apr 29
  • 2 min read

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për dhënie ndihmë për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme.


Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.


Organizonte dhe zhvillonte veprimtarinë e dhënies ndihmë për kalimin të kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit, kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas sirian.


Ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin jeshil me Greqinë, me qëllim kalimin në Mal të Zi dhe më pas në vendet e BE-së.


Shtetasi sirian u kap në flagrancë gjatë natës, në fshatin Vidohovë, duke shoqëruar 6 shtetas egjiptianë dhe sirianë (4 prej të cilëve ishin të mitur).


Nga hetimet e thelluara të kryera prej disa muajsh rezulton se ky shtetas e ka kryer disa herë këtë veprimtari kriminale, më parë, por emigrantët janë kapur nga shërbimet policore, në tentativë për të kaluar drejt Malit të Zi.


Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 2”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi sirian:


M. H., 18 vjeç, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".


Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë sirianë, ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të kalonin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë.


Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.


Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


“KORÇA BOOM”




bottom of page