DVP Korçë/Policia intensifikon kontrollet për ndotjen akustike në zonat turistike
- Korca Boom
- Jun 30
- 1 min read
Në vijim të masave sensibilizuese për ruajtjen e qetësisë publike gjatë sezonit turistik veror, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka organizuar takime informuese me administratorë dhe pronarë të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike, kryesisht ato që gjenerojnë zhurma nga muzika.
Paralelisht me këtë proces ndërgjegjësues, ka nisur edhe zbatimi i planit të masave për garantimin e sigurisë dhe rendit publik gjatë sezonit veror. Strukturat e sigurisë publike kanë organizuar grupe kontrolli në terren, bazuar në hartëzimin e zonave me ndotje të lartë akustike.
Gjatë kontrolleve janë përdorur matës të nivelit të zhurmës për të verifikuar ambientet dhe subjektet që operojnë në zona turistike, të hapura apo të mbyllura, me qëllim respektimin e nivelit të lejuar të zhurmës, sipas ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar. Matjet janë kryer në përputhje me procedurën standarde për kontrollin e ndotjes akustike.
Masat administrative për subjektet që konstatohet se shkelin këto norma variojnë nga 200 000 deri në 400 000 lekë. Në rast përsëritjeje, parashikohet edhe pezullimi i aktivitetit.
Si rezultat i kontrolleve të deritanishme, janë evidentuar tre subjekte që operonin në kundërshtim me normat ligjore të zhurmës. Ndaj tyre janë vendosur masa administrative me vlerë 200 000 lekë secila.
Përveç matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe mbi respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, që është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët dhe bizneset të kontribuojnë për një sezon turistik të qetë dhe të sigurt, në respekt të ligjit dhe të komunitetit.
“KORÇA BOOM”
