EKSKLUZIVE/ Ja strategjia e Skënderbeut për t'u rikthyer menjëherë në superligë!
- Korca Boom
- May 1
- 2 min read
Akoma në qytetin juglindor nuk ka ikur dhimbja e rënies në kategorinë e parë, ndërkohë që në klubin bardhekuq kanë bërë gati strategjinë për sezonin që vjen edhe pse skuadra do të luajë poshtë ligës së të mëdhenjve.
Skënderbeu për një sezon do të durojë në kategorinë e parë, ndërkohë që burime pranë klubit bëjnë të ditur se pothuajse boshti i skuadrës do të jetë me këta lojtarë që mbyllën edhe sezonin e fundit.
Më konkretisht ata që janë larguar deri tani janë Joao Felipe, Sabo dhe Liridon Balaj, ndërkohë që kapiteni Elvis Prençi pritet të firmosë edhe për një vit tjetër me Skënderbeun në ditët në vazhdim.
Përveç këtyre futbollistëve, pritet që të kemi edhe të paktën dy lojtarë të tjerë që mund të largohen, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër do të jenë bardhekuq me Skënderbeun në katëgorinë e parë. Këtë e konfirmojnë të njëjta burime pranë klubit që rrëfejnë se shumica e lojtarëve kanë kontratë dhe nuk do të lëvizin.
Por, edhe këtu përjashtim bëhet për ndonjë lojtar që mund të shitet, e thënë ndryshe që mund të ketë ndonjë ofertë tunduese nga ndonjë klub jashtë Shqipërisë, por edhe kjo mund të jetë me pikatore.
Grupi do të jetë pothuajse i njëjtë dhe me ndonjë afrim tjetër për të mbushur skuadrën, Skënderbeu ka ndërmend që të futet me këtë skuadër në kategorinë e parë dhe sigurisht me këtë grup futbollistësh, superliga është e arritshme. Një strategji që vetë presidenti Ardjan Takaj do ta udhëheqë gjatë merkatos verore dhe vetë presidenti premtoi se shumë shpejt do të kthehet sërish Skënderbeu i madh.
Tashmë në këtë qytet nuk duhet të “qajnë” rënien një kategori më poshtë, por të bëhen gati për një rikthim të ekipit në superligë dhe më pas për të ndërtuar një tjetër skuadër të madhe europiane, pasi dihet që pas sezonit që vjen Skënderbeu do të konkurrojë direkt për titullin kampion.
Forca Skënderbe!
“KORÇA BOOM”
