Ekskluzive / Muharemi tifozëve: Do t’ju bëj krenarë…!
- Korca Boom
- Jun 28, 2023
- 2 min read
Intervista e parë e Suhejlj Muharem nga Shkupi vjen për “Korça Boom”, i cili thotë se ka firmosur me ekipin më të mirë në Shqipëri
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Syhejlj Muharem, sulmuesi që ka firmosur kontratën e re me Skënderbeu, intervistën e parë përpara pak momentesh e ka ndarë vetëm për portalin “Korça Boom”.
Dje i ndodhur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, Muharem, ka vërtetuar lajmin e para pak orësh të portalit tonë, duke pohuar që nesër do të udhëtojë drejt Korçës: “Ju falenderoj së pari për intervistën që po më merrni dhe ndjehem i emocionuar edhe në këto momente, pasi nesër do të më duhet të udhëtoj për të filluar përgatitjet me ekipin që sapo kam firmosur.”
Këto kanë qenë fjalët e para të sulmuesit Muharem në lidhje me atë që nesër do të jetë në Korçë, ndërkohë që më tej do të vazhdonte: “Ndjehem shumë i lumtur që kam firmosur me ekipin më të mirë në Shqipëri dhe këtë e them me bindjen time më të madhe. Kur firmosa nuk u mendova dy herë, sepse bëra zgjedhjen më të mirë. Skënderbeu është ndër ekipet më të suksesshme dhe unë ju premtoj që do të bëj më të mirën pë fanelën bardhekuqe.”
Por, sulmuesi Muharem, ka një fjalë edhe për “ujqërit e dëborës”, teksa ju premton se: “Tifozëve u premtoj që do të jap më të mirën nga vetja ime dhe do t’i bëj krenarë me paraqitjet e mia në fushë. Skënderbeu është ndër klubet më me emër dhe do t’i bëj krenarë edhe gjithë ata korçarë që ndodhen në gjithë botën,” - mbyll fjalët e tij, Suhejlj Muharem nga Shkupi për “Korça Boom”.
Duke qenë se nesër sulmuesi do jetë në stërvitjen e tij të parë me Skënderbeun, ne i urojmë 22-vjeçarit sa më shumë suksese me fanelën e tij të re bardhekuqe.
