Enkelejd Zyla: Forca Skënderbe, i shënova unë 2 gola Rrogozhinës në 1994…
- Korca Boom
- Aug 26, 2023
- 1 min read
Egnatia-Skënderbeu ka një histori të pakët përballjesh në ligën superiore, kjo edhe për atë se Egnatia ka qenë pjesë e kategorive të ulëta, ndërkohë që në këto vitet e fundit po bën histori në superligë dhe vetëm sezonin që kaloi shënoi edhe emrin në Europë.
Përpos përballjeve mes tyre në superligë, vjen edhe një ndeshje në vitet e largëta, teksa është korçari i mirënjohur Enkelejd Zyla që sjell në kujtesë një ndeshje në vitin e largët 1994. Është thuajse 29 vjet më parë momenti kur Skënderbeu do të fitonte 2-0 ndaj Rrogozhinës, emër që e mbante më parë Egnatia e sotme, ndeshje e cila u luajt në Korçë.
Madje ka qenë 9 prilli i atij viti të largët, ditë kur Skënderbeu-Egnatia kanë luajtur në një fushë të mbushur me dëborë, në një përballje të kategorisë së dytë. Skënderbeu do të fitonte në atë kohë takimin 2-0 me dy gola të Enkelejd Zylës, gola që erdhën nga një në secilën pjesë, ndërkohë që këtë e sjellim edhe me foton më poshtë të gazetës që pasqyronte ndeshjen.
“I kam shënuar dy gola në atë kohë të largët rrogozhinasve dhe e mbaj mend si sot, pasi kishte edhe dëborë. Skënderbeu edhe pse në këtë moment është rikthyer në superligë dhe është me djem të rinj, të gjithë duhet të japin më të mirën. Suksese dhe Forca Skënderbeut,” - ka thënë për portalin tonë, golashënuesi i atyre viteve, Enkelejd Zyla.




















