Foshnja humbi jetën në maternitet, prindërit akuzojnë mjekun Kastriot Dallaku për neglizhencë
- Jul 23, 2025
- 1 min read
Një ngjarje tragjike ka tronditur maternitetin “Koço Gliozheni”, ku një foshnjë e porsalindur ndërroi jetë vetëm pak ditë pas lindjes. Prindërit e foshnjës kanë ngritur akuza serioze ndaj mjekut gjinekolog Kastriot Dallaku, i cili sipas tyre ka qenë i pakujdesshëm gjatë monitorimit të shtatzënisë.
Sipas kallëzimit të bërë në polici nga babai i foshnjës, çifti kishte ndjekur rregullisht kontrollet rutinë gjatë shtatzënisë. Të premten e kaluar, pasi gruaja ndjeu mungesë të lëvizjeve fetale, u komunikuan me mjekun Dallaku, i cili u tha të shkonin në spital për kontroll. Aty, sipas prindërve, mjeku kryente vetëm një grafi të shkurtër të rrahjeve të zemrës së fetusit dhe i siguronte se gjithçka ishte normale, duke i këshilluar të ktheheshin në shtëpi.
Në ditët në vijim, gjendja e nënës u përkeqësua dhe ajo pësoi temperaturë të lartë. Pas rikthimit në spital, u krye me urgjencë lindja me operacion cesarian. Foshnja lindi në gjendje shumë të rënduar, u intubua dhe u dërgua në reanimacion, por nuk mundi të mbijetojë dhe ndërroi jetë pas disa ditësh si pasojë e insuficiencës multiorganore.
Prindërit kanë denoncuar rastin në polici, duke akuzuar mjekun për neglizhencë dhe mosmarrje masash të duhura në kohë. Prokuroria dhe autoritetet shëndetësore kanë nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe nëse gjatë trajtimit janë shkelur protokollet mjekësore.
Ngjarja ka ngjallur shqetësim dhe debate mbi standardet e kujdesit në maternitetet publike dhe nevojën për përmirësime urgjente në sistemin shëndetësor./ LAJMI FUNDIT
“KORÇA BOOM”
















