top of page

Futboll më i shpejtë dhe më i rregullt: Prezantohen tre rregulla të reja

  • Aug 16, 2025
  • 1 min read

Janë prezantuar së fundmi disa ndryshime të rëndësishme në rregulloren e futbollit, të cilat synojnë përmirësimin e lojës në disa aspekte kryesore, përfshirë ritmin e ndeshjes, korrektësinë e vendimeve dhe komunikimin mes lojtarëve dhe arbitrave.


Një nga ndryshimet më të diskutuara është kufizimi i kohës së posedimit të topit nga portieri, i cili nuk lejohet ta mbajë më topin në zotërim për më shumë se 8 sekonda. Ky rregull ka për qëllim të parandalojë zvarritjen e lojës dhe të ruajë intensitetin gjatë gjithë ndeshjes.


Një tjetër pikë që është rishikuar lidhet me mënyrën e ekzekutimit të penalltive. Lojtari që godet penalltinë nuk lejohet ta prekë sërish topin nëse ai i rikthehet pa u prekur nga portieri apo ndonjë lojtar tjetër. Ky ndryshim vjen për të shmangur konfuzionin dhe për të rritur korrektësinë në interpretimin e rasteve brenda zonës.


Gjithashtu, është vendosur që gjatë ndeshjes të lejohet komunikimi i drejtpërdrejtë vetëm midis arbitrit kryesor dhe kapitenit të ekipit. Kjo masë është marrë për të shmangur ndërhyrjet e panevojshme nga lojtarët e tjerë dhe për të ruajtur autoritetin dhe qetësinë në fushë. Kapiteni do të ketë përgjegjësinë të përfaqësojë ekipin në rast të diskutimeve apo nevojës për sqarime.


Këto ndryshime janë pjesë e përpjekjeve për të modernizuar rregullat e lojës dhe për t’u përshtatur me kërkesat dhe zhvillimet e kohës. Zbatimi i tyre pritet të nisë me sezonin e ri futbollistik dhe do të jetë i vlefshëm për të gjitha garat zyrtare.

“KORÇA BOOM”


bottom of page