Gjergji Çikopani kujton: 39 vite nga ngritja e “Universitetit të Atletikës” në Korçë
- Korca Boom
- Jun 24
- 2 min read
Një moment që mbetet i dokumentuar në arkivën e Komitetit të BFSh – Korçë.
Në një mbledhje të Këshillit të Trajnerëve, të thirrur nga Kryespecialisti Tomi Stefanllari, kishim fatin të dëgjonim prezantimin me nivel shkencor të legjendës së atletikës, Piro Kasati, në bashkëpunim me mjekun e ditur Isuf Saliçe. Tema ishte standardizimi dhe metodologjia në përzgjedhjen e atletëve, në bazë të disiplinave të garave dhe rivlerësimet e performancës në periudha 6-mujore.
Piro Kasati, në cilësinë e Kryetrajnerit, paraqiti një material të detajuar. Mbledhja, megjithëse jo zyrtare, zgjati dy ditë nga mëngjesi deri në pasdite – një maratonë diskutimesh, argumentesh, pasioni dhe mbi të gjitha respekti profesional.
Pati edhe debate, shpesh të ashpra, sepse vendoseshin fatet e atletëve – kalimi i një sportisti nga një trajner te një tjetër, sipas disiplinës ku kishte më shumë potencial për rezultate të larta në pikëzimin olimpik. Ky ishte një proces delikat, pasi lidhej drejtpërdrejt me kontributet dhe djersën e secilit trajner.
Megjithatë, ne u përpoqëm që situatat t’i ç’tensiononim, me shaka dhe mirëkuptim, siç e ka zakoni i bukur i sportdashësve të vërtetë.
Qëllimi ishte ngritja e Këshillit të Trajnerëve si një njësi funksionale, shkencore dhe vendimmarrëse – jo një strukturë administrative burokratike, por një trupë profesionale që funksiononte mbi bazën e vlerësimit real dhe rezultateve.
U sollën për ilustrim edhe modele nga atletika botërore: SHBA, Rusia, Kina, Gjermania – dhe u ndërtuan kriteret për kalimin e atletëve nga një disiplinë në tjetrën, bazuar në potencialin për rezultate më të larta.
Në procesverbalin e mbledhjes (ruaj një kopje origjinale), u shënua vendimi që atletët të kalonin nga një ekip te tjetri, me emra konkretë dhe me marrje përgjegjësie për rritjen e pikëve olimpike me një numër të caktuar.
Për qëllime historike dhe për të vlerësuar kontributet e secilit, me këmbënguljen e Piro Kasatit, u shënuan edhe emrat e trajnerëve që kishin përgatitur atletët deri në atë fazë: V. Thëngjilli, Gj. Burda, K. Titili, M. Peçi…
Kështu ishte Piro Kasati – një Kryetrajner që dinte të vlerësonte kolegët.
Një drejtim i specializuar nga Tomi Stefanllari, që solli përvojën nga drejtimi i sportistëve si K. Melo, P. Konomi, A. Vangjeli, si dhe mbështetja administrative korrekte nga Th. Gjylameti, K. Stratobërdha, Ll. Sheshmini, dhe specialistë të palodhur si Niqe, Miço, Nuke, Kostani...
Ishte një punë në grup, një bashkëpunim i vërtetë midis specialistëve të zotë dhe njerëzve zemërgjerë.
39 vjet më parë, kur ndiqja fizkulturën dhe sportin, pata fatin të punoja me njerëz që meritonin të quheshin profesionistë të vërtetë.
“KORÇA BOOM”
