top of page

Heshtje “varri” te Skënderbeu, askush nuk flet pas rrëzimit në të parën!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Apr 28
  • 2 min read

Kanë kaluar 24 orë nga rënia e Skënderbeut në kategorinë e parë dhe çudia vazhdon. Nga ana e klubit “Skënderbeu” nuk ka asnjë njoftim zyrtar për mbylljen e sezonit, madje nuk ka asnjë njoftim të paktën në lidhje me rezultatin e ndeshjes së fundit ndaj Bylisit. Përpara çdo takimi, gjatë ndeshjeve dhe pas ndeshjeve klubi bardhekuq njoftonte tifozët për gjithçka, ndërkohë që në fund të sezonit 2024-2025 ndodh më e veçanta, nuk jepet asnjë njoftim dhe ka heshtje “varri” siç cilësohet ndryshe në gjuhën gazetareske.


Të vjen keq që po ndodh kjo, ndërkohë që duket se gjithçka filloi qysh pak minuta përpara përfundimit të ndeshjes së djeshme, ku trajneri Ernest Gjoka e la skuadrën dhe ekipin e drejtori Gentjan Liço. Më pas ishte trajneri që abandonoi konferencën për shtyp edhe pse e kishte detyrim, ndërkohë që në orët e mbrëmjes së djeshme askush nuk guxoi të thoshte gjysëm fjale.


Të paktën për etikë dhe për hir të tifozëve një njoftim duhej dhënë në faqen zyrtare të klubit “Skënderbeu” ku të lajmërohej me keqardhje rënia në kategorinë e parë, por edhe kjo nuk ndodhi. Askush nuk po flet qysh dje nga ana e bardhekuqve dhe kjo është një heshtje që të “vret” shumë.


As Gjoka të paktën si trajner nuk doli në një prononcim për të respektuar tifozët dhe jo mediat.


E dimë fort mirë që të gjithë po “qajnë” Skënderbeun dhe rënien në kategorinë e parë, por nëse ka më shumë që po e qajnë këtë Skënderbe, janë tifozët. Ata që e ndjekin skuadrën në ditët e mira dhe të këqija, me shi apo me diell, ata e kanë përjetuar shumë dhe për hir të tyre dikush duhet të kishte dalë në një deklaratë.


Të shohim dhe të presim orët në vazhdim, ku pritet edhe ndonjë dorëheqje, apo të tjera zhvillime të reja. Skënderbeu nuk mund ta kapërdijë lehtë rënien nga superliga…


“KORÇA BOOM”



bottom of page