top of page

I moshuari gjendet i pajetë në rrethana misterioze

Jun 9
1 min read

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së martës në Gjakovë, ku një burrë i moshuar është gjetur pa shenja jete në rrethana që dyshohet se lidhen me vetëvrasje.


Sipas burimeve nga hetimi, viktima është identifikuar me inicialet M.P. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30 në rrugën “Adem Jashari”, në një ambient pranë një lokali në pronësi të tij.


Sipas të dhënave paraprake, një qytetar që punonte në lokalin e marrë me qira nga viktima ka qenë i pari që ka konstatuar trupin e pajetë, pasi kishte dalë herët në mëngjes për të marrë materiale pune. Ai ka njoftuar menjëherë Policinë dhe Emergjencën, por më pas ka kuptuar se bëhej fjalë për pronarin e objektit.


Në vendngjarje kanë mbërritur njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili në orën 07:20 ka konstatuar vdekjen e viktimës.


Sipas deklarimeve të familjarëve, i biri i të ndjerit ka thënë para hetuesve se babai i tij kishte kaluar një periudhë të vështirë emocionale pas humbjes së bashkëshortes, çka dyshohet se ka ndikuar rëndë në gjendjen e tij psikologjike.


Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim sqarimin e plotë të shkaqeve të vdekjes.


Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin të gjitha rrethanat e ngjarjes.

“KORÇA BOOM”


bottom of page