Java 35-të e superligës luhet e gjitha të shtunën/ Skënderbeu-Egnatia në orën…
- Korca Boom
- Apr 14
- 2 min read
Tashmë është lënë pas ndeshja e javës së 34-ër e superligës, ndërkohë që të 10-të skuadrat janë duke menduar për javën pasardhëse, që përkon me javën e parafundit të “Abissnet Superiore” 2024-2025. Ndeshje më shumë se interesante do të luhen këtë fundjavë, e thënë ndryshe të shtunën e 19 prillit.
Të gjitha ndeshjet edhe të kësaj jave të 35-të do të luhen në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë dhe pikërisht në orën 15:30.
Të gjitha parballjet e kësaj jave janë interesante, sidomos për pjesën e fundit të tabelës së klasifikimit, ku janë pesë ekipe që nuk janë të sigurta për qëndrimin, apo edhe Elbasani me Partizanin që po luftojnë për një vend në Final Four.
Në këtë mënyrë, Skënderbeu këtë javë të parafundit do të luajë në Rrogozhinë ndaj Egnatias vendase, skuadër që ka siguruar prej kohësh katërshen e parë dhe duket se po mendon më shumë për finalet sesa për dy javët e fundit. Një shans i mirë që Skënderbeu të kërkojë trepikëshin edhe pse vështirësia është e madhe.
Përballje shumë interesante është në Ballsh, ku Bylisi do të ketë përballë Partizanin. Për ballshiotët kjo është ndeshja e “jetës” dhe duhen tre pikët, ndërkohë që po kaq të rëndësishme e ka edhe Partizani, skuadër që nëse humbet ka shanse të parakalohet nga Elbasani.
Tirana-Teuta është përballja “zjarr” e kësaj jave, ku si bardhebluve, por edhe durrsakëve u duhen pikët maksimale. Ndërkohë që në Laç vendasit do të presin Dinamon, një ndeshje ku vetëm kurbinasve u duhet fitorja.
Dhe, ndeshja e fundit e kësaj jave është ajo mes Elbasanit dhe Vllaznisë, një ndeshje ku elbasanllinjve u bën punë fitorja dhe do ta kërkojnë nga fillimi në fund, aq më tepër që luajnë në shtëpinë e tyre.
Në këtë mënyrë 5 ndeshje vërtet shumë interesante të shtunën në javën e pararfundit të kësaj superlige.
JAVA 35 (19 prill 2025)
ORA 15:30
Bylis – Partizani
Egnatia – Skënderbeu
Tirana – Teuta
Laçi – Dinamo City
AF Elbasani – Vllaznia
“KORÇA BOOM”
