Klubet propozojnë: Superliga 2024-2025 me 12 skuadra!
- Korca Boom
- Jul 7, 2023
- 1 min read
Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit organizoi këtë të premte një mbledhje me Drejtorët Sportivë të 10 klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore”. Fokusi i kësaj mbledhjeje ishin propozimet mbi ndryshimin e mundshëm të formatit të “Abissnet Superiore”.
Për të rritur më shumë nivelin e garës, shikueshmërinë, të ardhurat nga të drejtat televizive e marketing, si dhe për ta bërë kampionatin sa më tërheqës dhe interesant, Federata Shqiptare e Futbollit u ka kërkuar disa javë më parë Departamentit të Garave në UEFA të sjellë disa propozime se si kampionati “Abissnet Superiore” mund të ndryshojë në vijim.
Përfaqësuesit e këtij Departamenti në UEFA kanë sjellë 4 opsione të ndryshme, me disa variante për secilin propozim. Ky material është analizuar nga specialistë në FSHF dhe u është vënë fillimisht në tavolinë Drejtorëve Sportivë të klubeve të “Abissnet Superiore”.
Ajo që vlen të theksohet është fakti se propozimi kryesor ka qenë që sezonin e ardhshëm superliga shqiptare të bëhet me 12 skuadra. Ndërkohë që propozimi tjetër ka qënë ai i superkupës, ku është propozuar që të marrin pjesë katër skuadra (dy finalistet e Kupës së Shqipërisë dhe ekipi kampion dhe nënkampion).
