Konflikti mes dy burrave për të njëjtën grua përfundon në kasaphanë
- Korca Boom
- Oct 8
- 1 min read
Një "trekëndësh dashurie" i dyshuar mes dy ushtarakëve që dyshohet se ishin të përfshirë në një marrëdhënie me të njëjtën grua, është shndërruar në një tragjedi të përmasave masive në Sudanin e Jugut. Të paktën 14 persona kanë humbur jetën si pasojë e një shkëmbimi zjarri mes pjesëtarëve të një njësie ushtarake, konfirmoi ushtria e vendit.
Incidenti ndodhi të hënën në një njësi të Forcave të Përbashkëta të Mbrojtjes VIP, të vendosur në rajonin Abyei, një zonë e kontestuar ndërmjet Sudanit dhe Sudanit të Jugut. Përplasja nisi fillimisht si një grindje personale mes dy ushtarëve – njëri i afërt me zëvendëspresidentin e shkarkuar Riek Machar dhe tjetri me presidentin aktual Salva Kiir.
Sipas deklaratës së ushtrisë, njëri nga ushtarët qëlloi për vdekje rivalin e tij, por u ekzekutua menjëherë nga rojet. Më pas dhuna u përhap te shokët e tyre të armës, duke shkaktuar një përplasje të armatosur në radhët e njësisë.
Zëdhënësi i ushtrisë, gjeneralmajor Lul Ruai Koang, njoftoi gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin Juba se 14 ushtarë kanë humbur jetën në total, përfshirë dy protagonistët kryesorë dhe 12 të tjerë nga njësia, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur.
“Mund të konfirmoj se incidenti nuk ishte i motivuar politikisht,” deklaroi Koang, duke shtuar se një hetim i plotë është duke u zhvilluar për të sqaruar rrethanat. Ai theksoi se shkaku më i mundshëm është një konflikt personal që lidhej me një marrëdhënie dashurie me të njëjtën grua, por nuk përjashtoi as mundësinë e një mosmarrëveshjeje të natyrës tjetër.
"KORÇA BOOM"



















