Krimi që tronditi Greqinë/ Dëshmon vajza e viktimës: “Prindërit ziheshin shpesh
- Korca Boom
- Aug 22
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Volosit në Greqi këtë të premte, ku një 40-vjeçar shqiptar, Pandeli Nakoleci, akuzohet se vrau me thikë bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci, 36 vjeçe.
Sipas policisë greke, krimi ndodhi në hyrje të pallatit ku jetonte familja. Gruaja u godit disa herë në qafë dhe shpinë, ndërsa në vendngjarje ndodheshin edhe katër fëmijët e çiftit, të moshës nga 6 deri në 18 vjeç, të cilët dyshohet se ishin dëshmitarë të aktit.
Vajza e madhe e viktimës dëshmoi se konflikti mes prindërve kishte qenë i vazhdueshëm, dhe i ati shpesh shfaqte sjellje xhelozie. Sipas saj, e ëma e kishte përzënë më herët nga shtëpia, por ai ishte kthyer.
Pamjet e publikuara nga mediat greke tregojnë momentin kur vajza mbërriti në vendngjarje dhe pa gjurmët e gjakut në hyrje të pallatit.
Autori është ende në arrati. Burime të policisë greke raportojnë se ai kishte probleme të shëndetit mendor dhe ishte shtruar në një klinikë psikiatrike në muajin qershor, pas një tentative për vetëvrasje. Dyshohet gjithashtu se ishte përdorues droge.
“KORÇA BOOM”



















