top of page

Kristiano Koçibelli: Deputeti dhe Parlamenti, zëri i popullit apo hije e partisë?

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • May 30
  • 2 min read

Fjala "parlament" vjen nga frëngjishtja dhe do të thotë "të flasësh". Ky term u përdor për herë të parë në Angli në vitin 1215, kur “Magna Carta” kufizoi pushtetin absolut të mbretit dhe i dha banorëve të drejtën të këshilloheshin për çështje që lidhen me shtetin.


Krijimi i parlamentit erdhi si një reagim kundër pushtetit absolut, me synimin për të vendosur kontroll, drejtësi dhe pjesëmarrje të gjerë në vendimmarrje. Ky model u përhap në shumë vende dhe u bë themel i sistemeve demokratike.


Parlamenti është një nga shtyllat themelore të një shteti demokratik. Në Shqipëri, ai është një prej tre pushteteve dhe është krijuar për të përfaqësuar zërin e popullit, duke garantuar që pushteti të mos qëndrojë në duart e një njeriu të vetëm, por të ndahet ndërmjet institucioneve që kontrollojnë dhe balancojnë njëri-tjetrin. Qëllimi kryesor i tij është të miratojë ligje, të propozojë reforma dhe të mbrojë me çdo kusht të drejtat e qytetarëve.



Parlamenti dhe deputetët shpesh shihen si një trup i vetëm. Prandaj, përveç parlamentit si institucion, duhet të flasim edhe për deputetin si person fizik brenda një strukture juridike.

Deputetët janë zëri i popullit në parlament, përfaqësues të të gjithë qytetarëve, jo vetëm të atyre që i kanë votuar apo të një zone të caktuar, por të gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar. E përmenda këtë sepse shumë prej tyre, fatkeqësisht, nuk e kuptojnë këtë detyrim dhe mendojnë se janë përfaqësues vetëm të zonës që i ka dërguar në parlament. E vërteta është se shumica nuk janë as votuar – mandati u është dhuruar.


Deputeti nuk duhet të jetë aty vetëm sepse është besnik i partisë. Ai duhet të ketë:

  • arsim të lartë cilësor

  • aftësi për të analizuar dhe kuptuar ligje

  • njohuri për Kushtetutën dhe sistemin parlamentar

  • njohje të së drejtës ndërkombëtare dhe gjuhëve të huaja

  • aftësi komunikuese me qytetarët, institucionet dhe mediat

  • aftësi vendimmarrëse, integritet moral dhe profesional


Deputeti duhet të jetë shembull për shoqërinë, të mbrojë vlerat kombëtare, të respektojë të drejtën zakonore, të zhvillojë të drejtën private dhe të qëndrojë fort për parimet e një shteti demokratik.


Shqipëria ka nevojë për deputetë që nuk vijnë për pushtet, por për shërbim.

Modeli "më votutët dhe më besutët" ishte pararojë e një modeli analfabet të moderuar.

Po e mbyll me fjalët e Dritëro Agollit, i cili në një nga veprat e tij shkruante:"Ndonëse në formë ai është parlament, në përmbajtje shpesh është një parti!"

 



“KORÇA BOOM”



bottom of page