Kujtojmë sot në ditën e lindjes regjisorin e filmit Viktor Gjika
- Korca Boom
- Jun 23
- 1 min read
Kujtojmë sot në ditën e lindjes regjisorin e filmit Viktor Gjika.
Viktor Gjika ishte një nga regjisorët më të rëndësishëm dhe te shquar të filmit shqiptar. Për kontributin e tij thelbësor në filmin shqiptar është vlerësuar me titullin "Artist i Popullit".
Viktor Gjika u lind më 23 qershor 1937 në Korçë dhe u nda nga jeta më 3 mars 2009.
Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik "VGIK" në Moskë, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Dhimiter Anagnostin xhiruan si punë diplome filmin "Njeriu kurrë nuk vdes", një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Yjet e netëve të gjata", "Rrugë të bardha", "Rezistencë", "Gjeneral gramafoni" "Nëntori i dytë", "Njeriu me top", "Komisari i dritës", "Përballimi", "Në çdo stinë", "Vjeshtë e nxehtë e '41-it", "Njerëz në rrymë", dokumentarët "Unë jam Ismail Qemali", "Kur ikin korbat (Kosovë)", "Gjuhë që nuk vdes", "Arti shqiptar në shekuj", "Enver Hoxha tungjatjeta", "Rron o rron nuk vdes Fan Noli" etj. Gjatë gjithë karrierës realizoi rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë. Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze, ne vitin 1977 i jepet titulli "Artist i Merituar" dhe në 1985 "Artist i Popullit".
“KORÇA BOOM”



















