Kur pasioni për modën bëhet mësim: “Themistokli Gërmenji” në fokusin e kulturës italiane
- Korca Boom
- Oct 16
- 2 min read
Ditën e sotme, në sallën multimediale të shkollës, u zhvillua konferenca e dytë e nxënësve të seksionit dygjuhësh shqip–italisht, nën kujdesin e mësueseve Maria Mormone dhe Milda Papa, në bashkëpunim me Institutin "Ceconi" të Udines.
Gjatë pjesës së parë të konferencës, nxënësit italianë prezantuan jetën dhe karrierën e stilistit të famshëm Giorgio Armani, duke ndjekur më pas hyrjen e tij në industrinë e modës dhe ndikimin e thellë që ai pati në këtë fushë.
Përveç kësaj, ata kishin përgatitur postera informues për disa nga markat më të njohura të modës italiane si: Versace, Gucci, Prada, Cavalli, Fendi dhe Dolce & Gabbana.
Përmes një videoje të përgatitur me kujdes, ata paraqitën procesin e krijimit të këtyre posterave, duke u ndalur te historiku i secilës markë, materialet e përdorura, ndikimi në industrinë globale të modës dhe prezantimi i disa prej produkteve më të njohura të tyre.
Veçanërisht i spikatur ishte prezantimi i Mircos, një nxënës me aftësi ndryshe, i cili kishte modeluar një veshje të markës Armani, duke e personalizuar në ngjyrën lejla, ngjyra e tij e preferuar, për të shprehur individualitetin dhe shpirtin e tij artistik.
Nxënësit tanë patën gjithashtu mundësinë të shihnin disa sekuenca filmike nga pasarelat e organizuara nga vetë Instituti "Ceconi", me veshje të krijuara nga nxënësit e sektorit të modës për evente të ndryshme.
Gjatë aktivitetit, një rëndësi të veçantë iu kushtua edhe shpjegimit të termave specifikë të fushës së modës, duke e bërë përvojën edhe më edukative për pjesëmarrësit.
Takimi u mbyll me një diskutim të gjallë, ku nxënësit tanë drejtuan pyetje bashkëmoshatarëve të tyre italianë, duke u ndalur te leksiku i modës, tendencat në ndryshim dhe ndikimi i jashtëzakonshëm i Giorgio Armanit në këtë fushë.
Konferenca e tretë e këtij cikli do t’i kushtohet sërish modës dhe veshjeve, por këtë herë do të udhëhiqet nga nxënësit tanë.
“KORÇA BOOM”



















