top of page

Kur rruga bëhet klasë dhe qyteti u bën nderim mësuesve të vet, nga dërrasat e zeza te kujtimet e arta, një moment që flet vetë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Oct 15
  • 2 min read

Jani Lice, Bujar Vila dhe Sezai Mero. Tre emra që për shumë korçarë nuk janë thjesht individë, por një pjesë e gjallë e kujtesës kolektive të qytetit – mësues, drejtues, formues breznish, njerëz të dijes që kanë lënë gjurmë të thella në sistemin arsimor.


Nuk ndodh shpesh që fati të të japë mundësinë t’i shohësh së bashku, por ja që një ditë e bukur me diell, në zemër të pedonales së Korçës, na e dhuroi këtë pamje të rrallë. Të tre duke ecur qetë, duke biseduar mes tyre me atë fisnikëri që e ruajnë vetëm ata që e kanë kaluar jetën duke edukuar. Ishte një skenë që për këdo që i njihte, sillte menjëherë kujtime, respekt dhe ndjesi krenarie.


Janë shumë gjëra që i lidhin këta tre zotërinj: të tre janë ish-mësues të fizikës dhe matematikës, dy nga lëndët më sfiduese por edhe më formuese për çdo nxënës. Por jo vetëm kaq. Të tre kanë qenë edhe drejtues institucionesh arsimore – figura që nuk i kanë shërbyer vetëm mësimit, por edhe organizimit dhe drejtimit të shkollave në vite të ndryshme.

Bujar Vila dhe Shezai Mero kanë mbajtur postin e drejtorit të gjimnazit të njohur “Themistokli Gërmenji” në Korçë, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit parauniversitar në vend. Nën drejtimin e tyre, gjimnazi ka ruajtur standardin e lartë, disiplinën dhe përkushtimin për cilësi në arsim, duke nxjerrë me dhjetëra maturantë të shkëlqyer që më pas kanë ndjekur karriera të suksesshme në fusha të ndryshme.


Jani Lice, gjithashtu, ka pasur një karrierë të gjatë si mësues dhe drejtues shkolle, duke qenë i pranishëm në jetën arsimore të qytetit për dekada. Për shumë, ai mbetet një nga figurat më të nderuara të mësuesisë korçare.

Janë figura që nuk shihen vetëm si mësues, por si modele. Të rreptë kur duhej, të drejtë, të duruar, të përkushtuar dhe mbi të gjitha, të dashur për nxënësit që dinin t’i dëgjonin. Ata nuk mësonin vetëm lëndë shkollore – mësonin mënyrën e të menduarit, të analizuarit, të qëndrimit në jetë.


Kalimi i tyre në pedonale u kthye për shumë qytetarë në një udhëtim të shkurtër në kohë. “Mësuesi im i fizikës… profesori i matematikës që më ndihmoi ta dua këtë lëndë… drejtori që nuk të qortonte kot, por të bënte të reflektoje...” – janë mendime që shumë i kanë ndarë me veten në atë moment.


Në një kohë kur gjithçka ndryshon shpejt dhe vlerat shpesh harrohen, pamje të tilla janë një kujtesë e fortë se Korça ka pasur dhe ka ende njerëz të dijes që ia kanë kushtuar jetën brezave të rinj. Ata janë pasuria më e heshtur por më e vyer e qytetit.


Të shohësh sot së bashku Jani Licen, Bujar Vilen dhe Shezai Meron është si të lexosh një faqe të lavdishme të historisë së arsimit në Korçë. Është si të prekësh me sy dhe zemër atë brez mësuesish që punonin me bindje, me pasion, me mision – jo thjesht për një rrogë, por për të formuar njerëz.


Respekt për këta emra që i kanë dhënë shumë këtij qyteti dhe që edhe sot, në heshtje, vazhdojnë të jenë burim frymëzimi.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page