“Laboratori SMART Future” - Takim në UNIKO në kuadër të projektit SMART Innovation Centers (SIC_UNIKO)
- Korca Boom
- Jun 26
- 1 min read
Departamenti i Turizmit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Korçës (UNIKO), organizoi veprimtarinë “Laboratori SMART Future”, si pjesë e projektit SMART Innovation Centers (SIC_UNIKO).
Ky aktivitet u zhvillua në formën e një takimi dinamik dhe interaktiv, i cili synon të ndihmojë studentët e degës së turizmit në identifikimin e aftësive profesionale që kërkohen në tregun aktual të punës. Veprimtaria kontribuon në mënyrë aktive në përmirësimin e kualifikimit të tyre akademik dhe profesional.
Përmes analizës së kurrikulës, bashkëpunimit me aktorë të ndryshëm dhe planifikimit strategjik në kuadër të qasjes “SMART Thinking”, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë mbi tendencat më të fundit në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, si dhe të qartësojnë më tej perspektivën e tyre në tregun e punës.
Laboratori kishte si objektiv të nxitë të menduarit kritik dhe kreativitetin, duke i inkurajuar studentët të përfshihen në mënyrë aktive si bashkëkrijues në procesin mësimor dhe si promotorë të inovacionit në sektorin e turizmit.
Ky aktivitet përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm në ndërtimin e urave ndërmjet arsimit të lartë dhe praktikës profesionale, duke afruar më shumë universitetin me sfidat dhe kërkesat e tregut bashkëkohor.
“KORÇA BOOM”
