top of page

LAMTUMIRË SUPERLIGË/ Skënderbeu bie në kategorinë e parë!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Apr 27
  • 3 min read

Skënderbeu - Bylis 1-2

Shënues: Bismark 13’ / Mustafa 10’, Përgjoni 62’


Skënderbeu: Alia, Vasquez, Ramos, Prençi, Nikaj (Balaj 75’), Nasr, Sabo, Estrela (Merlim 46’), Shaqe, Lukuinjas (Çuçka 82’), Bismark. Trajner: Ernest Gjoka


Bylis: Batista; Bruno, Da Silva (Ruçi 78’), Kane, Përndreca, Mustafa (Berko 82’), Kamara, Malomo (Mouctar 60’), Përgjoni, Abazaj (Marku 82’), Ilieski. Trajner: Gentian Mezani


Gjyqtar: Enea Jorgji


Kartonë të verdhë: Nikaj, Ramos / De Sousa, Përndreca, Bruno, Kane (2), Mustafa, Batista

Karton i kuq: Kane

 

Përpara fllimit të takimit kanë qenë korçarët që për herë të parë janë grumbulluar në pankinën e tyre dhe janë betuar së bashku me Gjokën për fitore, ndërkohë që loja nis e qetë nga të dyja skuadrat, teksa presioni më shumë është mbi Skënderbeun që kërkon vetëm fitoren.


Në minutën e 3-të është Përgjoni për miqtë që lëshon një predhë nga larg, por mbi traversë.

Në të 10-ën minutë është Bylisi që bën surprizën duke shënuar. Pas një goditjeje nga këndi, është Mustafa që me kokë pa u shqetësuar nga askush gjuan dhe 0-1 për Bylisin. Hesht stadiumi “Skënderbeu”.


Vetëm 3 minuta ka zgjatur festa e miqve, pasi është Bismark që shënon në portën e Bylisit dhe 1-1. Të gjithë në këmbë në stadiumin juglindor duke u gëzuar për golin e barazimit.

Pas golit janë sërish miqtë që për pak sa nuk shënojnë në minutën e 17-të, por Da Silva gjuan jashtë.


Duhet të vinte minuta e 37-të që Skënderbeu të shpërdoronte rastin më të pastër të golit të avantazhit. As Nasr, as Bismark, as Nikaj me tre gjuajtje të njëpasnjëshme nuk e dërgojnë dot topin në rrjetë.


Mbyllet pjesa e parë me barazimin 1-1.

Pjesa e dytë nis me një ndërrim për Skëndereun, ku Estrela i dëmtuar i le vendin Juri Merlim.

Pjesa e dytë, në të 48-ën minutë nis me një rast të pastër për Skënderbeun, ku Saleh Nasr me portën e boshatisur bën më të vështirën, gjuan jashtë. Më pas loja është një “luftë” nervash mes të dy ekipeve, ku ballshiotët vonojnë dhe Skënderbeu që nxiton e nuk është i qetë në zonën e vet.   


Kur të gjithë prisnin golin e Skënderbeut, është Bylisi që shtang një stadium të tërë. Përgjoni shënon në të 62-ën minutë golin e avantazhit dhe tashmë është “malore” për Skënderbeun. Pas golit të dytë të Bylisit, ballshiotët janë shumë të qetë, ndërkohë që Skënderbeut i duhen jo pak, por dy gola.


Në minutën e 76-të është Bylisi që ndëshkohet me karton të kuq dhe Skënderbeu ka mundësi, pasi Kane për miqtë ka lënë ekipin me 10 lojtarë. Edhe pse me një lojar më shumë, Skënderbeu nuk bën dot gjë dhe gabon shumë në minutat e mëtejshme, madje edhe në pasimet e topit.


Edhe 7 minutat e shtesës nuk sjellin asgjë dhe përfundimisht Skënderbeu në kategorinë e parë.

 

Minutat dhe rastet e pjesës së parë


3’ – Rasti i parë u takon miqve, teksa për Bylisin është Përgjoni që gjuan nga jashtë zone, por topi përfundon mbi traun e portës së Marko Alia.


10’ – Shtang Bylisi. Goditje nga këndi për Bylisin është Musafa që i lënë i vetëm në prapavijë gjuan me kokë dhe 0-1 për Bylisin.


13’ – Skënderbeu nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe është Bismark që menjëherë barazon rezultatin në 1-1. Ka festë në stadiumin juglindor.


17’ – Është Bylisi që zbret rrezikshëm, teksa Da Silva për pak sa nuk shënon, por gjuajtja e tij përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule.  


37’ – Nasr, Nikaj, Bismark, tre gjuajtje në pak sekonda dhe për pak sa nuk shënojnë. Shpëton porta e Bylisit pasi asnjëri prej sulmuesve nuk e dërgon dot në kuadrat.

 

Minutat dhe rastet e pjesës së dytë


48’ – Është Nasr që humbet rastin më ideal, përballë portës ballshiote as vetë nuk i beson syve, teksa gjuan jashtë.


62’ – Përgjoni për Bylisin shtang një stadium të tërë, pasi në zonën korçare është sulmuesi i Bylisit që përfiton nga gabimi i mbrojtjes së Skënderbeut dhe kalon Bylisin në avantazhin 1-2.


“KORÇA BOOM”



bottom of page