Liqenorëve s’u është larguar mërzia
- Korca Boom
- May 5
- 1 min read
Ekipi i Pogradecit ka bërë më të mirën e mundshme këtë sezon, veçanërisht në fazën e dytë të kampionatit, duke arritur deri në përballjen vendimtare kundër Tiranës.
Në fakt, nga ajo që u pa në fushën e lojës, Pogradeci zhvilloi një ndeshje të mirë, me koncept loje të qartë, por fati nuk ishte në anën e tyre. Ata u ndëshkuan me një gol në minutat e fundit, një gol që u shoi ëndrrën për t’u ngjitur në Superligë.
I pyetur për këtë moment, kapiteni Vangjel Zguro u shpreh: “Jemi ende shumë të mërzitur. Sa herë e sjell në mendje atë ndeshje, them me bindje se duhet të ishim ne ata që do të kalonim më lart. Por ky është futbolli, duhet ta kalojmë këtë moment.”
Liqenorët, sipas burimeve, pritet të nisin së shpejti përgatitjet për sezonin e ri. Sigurisht që objektivat mbeten maksimalë, por kampionati do të jetë shumë më i vështirë këtë herë, duke pasur parasysh që në Kategorinë e Parë zbresin edhe dy ekipe si Laçi dhe Skënderbeu.
“KORÇA BOOM”
