Maliqi ruan bërthamën e sezonit të kaluar dhe shton përforcime të huaja
- Korca Boom
- Aug 8
- 2 min read
Ekipi i Maliqit do të nisë zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri ditën e hënë, më 11 gusht. Pas një sezoni pozitiv dhe të qëndrueshëm, klubi kërkon të ndërtojë një skuadër edhe më konkurruese, duke ruajtur strukturën bazë të vitit të kaluar dhe duke shtuar elementë të rinj që do të sjellin më shumë cilësi dhe freski në skuadër.
Trajneri Egli Malesija ka konfirmuar se pjesa më e madhe e skuadrës do të jetë e njëjtë me atë të sezonit të kaluar. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimësisë në grup dhe njohjen që lojtarët kanë tashmë me mënyrën e punës dhe filozofinë e tij.
Ndërkohë, skuadra është forcuar me afrimin e dhjetë futbollistëve të huaj, të cilët vijnë nga vende me traditë në futboll si Brazili, Ghana dhe Nigeria. Nga këta dhjetë lojtarë, shtatë janë konfirmuar tashmë si pjesë zyrtare e ekipit, ndërsa tre të tjerë ndodhen në periudhë prove dhe do të vlerësohen gjatë ditëve të para të stërvitjes.
Trajneri u shpreh se qëllimi i këtyre afrimeve është përmirësimi i konkurrencës në çdo repart dhe rritja e cilësisë së përgjithshme të skuadrës. Ai gjithashtu vlerësoi motivimin dhe dëshirën për të treguar veten që kanë shfaqur futbollistët e rinj që i janë bashkuar ekipit.
Pritet që gjatë javës së parë të përgatitjeve të zhvillohen disa seanca testuese dhe ndeshje miqësore, në mënyrë që stafi teknik të krijojë një pasqyrë të qartë mbi gjendjen fizike dhe teknike të lojtarëve, si dhe mbi mënyrën se si prurjet e reja përshtaten me grupin ekzistues.
Drejtuesit e klubit shprehen optimistë për sezonin e ardhshëm. Objektivat e Maliqit do të përcaktohen përfundimisht pas përfundimit të fazës përgatitore dhe plotësimit të organikës me afrime të tjera të mundshme.
Skuadra synon të jetë sa më konkurruese në kampionat dhe të jetë pjesë e ekipeve që luftojnë për pozicionet e larta në tabelë.
“KORÇA BOOM”



















