McLaren bën ligjin në shtëpinë e Red Bull – Norris dhe Piastri marrin gjithçka në Austri!
- Korca Boom
- Jun 29
- 2 min read
Gara e 11-të e Kampionatit Botëror të Formula 1 për vitin 2025 u zhvillua këtë fundjavë në qarkun e Red Bull Ring në Spielberg të Austrisë, në një atmosferë që premtonte spektakël dhe dramë – dhe kështu ndodhi. Ndonëse pritej që Red Bull të dominonte në shtëpinë e vet, ndodhi e kundërta: McLaren u shfaq si protagonisti absolut me një dyshe triumfuese që elektrizoi pistën.
Në një garë të mbushur me ngjarje të papritura që nga xhiroja e parë, ishte britaniku Lando Norris ai që dominoi pa asnjë diskutim. Duke u nisur nga pole position, ai arriti të mbajë kreun që në fillim dhe ta përmbyllte garën me një fitore të pastër, duke lënë pas shokun e skuadrës, australianin Oscar Piastri, i cili siguroi vendin e dytë. Kështu, McLaren realizoi një “dyshe të artë” që padyshim do të hyjë në historinë e ekipit.
Në vend të tretë u rendit Charles Leclerc me Ferrarin e tij, duke siguruar podiumin për skuadrën italiane që duket në ngjitje të qëndrueshme këtë sezon. Leclerc kaloi një garë solide, duke përfituar nga kaosi i pjesës së parë dhe duke menaxhuar ritmin më mirë se konkurrentët e tjerë të drejtpërdrejtë.
Katastrofa më e madhe e fundjavës pa diskutim i takoi Red Bull. Max Verstappen e mbylli garën që në xhiron e parë, pas një incidenti të ashpër me debutuesin Kimi Antonelli nga Mercedes. As makina e sigurisë nuk e ndihmoi kampionin në fuqi të rifutej në lojë, ndërsa Tsunoda mbeti i fundit, duke kompletuar një fundjavë të errët për skuadrën austriake, pikërisht në pistën e tyre.
Nuk munguan as incidentet teknike, me Carlos Sainz që nuk arriti as të niste garën për shkak të një defekti që solli zjarr në makinën e tij gjatë xhiros së formatimit. Një tjetër që nuk përfundoi garën ishte edhe Alex Albon, duke e bërë këtë një fundjavë për t’u harruar për ekipin e Williams.
Gara solli edhe momente emocionuese në mes të grilës, ku Fernando Alonso me Aston Martin zhvilloi një duel të fortë dhe të respektueshëm me debutuesin brazilian Gabriel Bortoleto nga Sauber. Të dy përfunduan në zonën e pikëve, me Alonso që i dha përqafime dhe komplimente rivalit të ri në fund të garës.
Pas 71 xhirosh në pistën e shpejtë të Red Bull Ring, ishte Lando Norris që preku i pari flamurin kuadratik dhe vendosi emrin e tij si fituesi i Çmimit të Madh të Austrisë 2025. Podiumi u kompletua me dy pilotët e McLaren dhe Leclerc, ndërsa dhjetëshja e pikëve u plotësua nga Hamilton, Russell, Lawson, Alonso, Bortoleto, Hulkenberg dhe Ocon.
Në klasifikimin për pilotët, gara e sotme do të ndikojë ndjeshëm, sidomos pas pikëve të humbura nga Verstappen dhe largimit të hershëm të disa emrave të mëdhenj. Kjo fitore jo vetëm që forcon pozitat e McLaren si një pretendent serioz këtë sezon, por edhe rrit rivalitetin në garën për titull.
Formula 1 nuk ndalet, pasi javën tjetër karvani i garave do të zhvendoset në Britaninë e Madhe, në pistën ikonike të Silverstone, ku pritet një tjetër përplasje titanësh në betejën për lavdi dhe pikë të çmuara në kampionat.
“KORÇA BOOM”
