Mesazhi i Elsuida Vila: Dua të jetoj e lirë dhe me të drejta të plota në vendin tim
- Korca Boom
- May 18
- 1 min read
Të dashur miq të diasporës dhe të Qarkut të Korçës!
Ju jam thellësisht mirënjohëse dhe falënderuese për të gjithë ata që më vlerësuan dhe më mbështetën në këtë rrugëtim të ri, të cilin e nisa me shpresë dhe përkushtim të ndershëm, ashtu siç kam ecur gjithmonë në jetë.
Të jem e sinqertë, hasa shumë pengesa, duke kuptuar se ndërgjegjja e pastër ende nuk ka mbërritur plotësisht në Shqipërinë tonë të bukur dhe të bekuar nga Zoti, por jo edhe nga një pjesë e njerëzve zullumqarë. Mendoj se kjo vjen si pasojë e shumë faktorëve të trashëguar nga e kaluara jonë, veçanërisht nga diktatura komuniste.
U përpoqa të zhvilloja një fushatë ndryshe, ku t’u tregoja qytetarëve të Qarkut të Korçës se një deputet shkon në Parlament për të përfaqësuar komunitetin dhe për të ngritur zërin për problematikat e tyre, jo për t’u ofruar mbështetje apo përfitime personale individëve, siç bëjnë ende një pjesë e kandidatëve.
Jam pafundësisht mirënjohëse ndaj gjithë diasporës, e cila më ka vlerësuar dhe më ka dhënë kurajë, jo vetëm gjatë fushatës, por edhe tani, duke më nxitur të ringrihem më e fortë, pavarësisht të gjithë faktorëve dhe vështirësive që përjetuam.
Unë do të vazhdoj të jem pjesë e politikës, sepse dua të jetoj e lirë dhe me të drejta të plota në vendin tim, ashtu si çdo qytetar europian. Nuk kam frikë nga e vërteta dhe jam e bindur se shumë shpejt e drejta do të triumfojë në vendin tonë, në Shqipërinë tonë të dashur dhe të bukur.
“KORÇA BOOM”
