Mister në Korçë, 23-vjeçari paraqitet në spital i plagosur me th*kë dhe hesht para policisë
Një 23-vjeçar nga Korça është paraqitur në urgjencën e Spitalit Rajonal të Korçës me plagë të shkaktuara nga një mjet prerës në pjesën e barkut, duke vënë në lëvizje policinë dhe grupin hetimor.
Sipas burimeve paraprake, i riu ka mbërritur në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa mjekët kanë konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditje me mjet prerës.
Burime nga policia bëjnë me dije se 23-vjeçari nuk ka pranuar të japë detaje mbi rrethanat e ngjarjes apo identitetin e personit që e ka plagosur. Kjo ka vështirësuar në fazën e parë zbardhjen e plotë të rastit.
Megjithatë, nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e mbledhura në terren, dyshohet se plagosja mund të ketë ndodhur pas një konflikti të mëparshëm mes të riut dhe disa personave të tjerë.
Aktualisht, 23-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtimin e nevojshëm, ndërsa gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga personeli mjekësor.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit ose autorëve të mundshëm dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
“KORÇA BOOM”
















