Mjeku Admir Sinamati prek me fjalët për studenten Bora Keçi që humbi jetën tragjikisht
Mjeku dhe pedagogu Admir Sinamati ka reaguar me një mesazh të ndjerë për ndarjen tragjike nga jeta të studentes së Fakultetit të Mjekësisë, Bora Keçi, e cila humbi jetën së bashku me të atin në një aksident automobilistik.
Në një postim prekës, Sinamati shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e parakohshme të një vajze të re, plot ëndrra dhe përkushtim për profesionin e saj, si dhe të babait të saj, një mjek që kishte kontribuar ndër vite në shërbim të komunitetit.
Ai e kujton Borën si një studente shembullore, të dalluar për seriozitetin dhe përgatitjen akademike. Në veçanti, pedagogu ndalet te një moment i mbetur në kujtesën e tij, ku ajo ishte vlerësuar me rezultate të shkëlqyera në lëndën “Etikë dhe Deontologji Mjekësore”, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të qartë të përkushtimit dhe pasionit të saj për mjekësinë.
Sinamati u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Keçi, veçanërisht nënës së Borës, si dhe stafit pedagogjik dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Ai e cilëson këtë humbje si një plagë të rëndë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë komunitetin mjekësor.
Ndarja e parakohshme nga jeta e Bora Keçit dhe të atit ka tronditur të afërmit, miqtë dhe kolegët, duke lënë pas dhimbje dhe boshllëk të madh.
“KORÇA BOOM”
















