top of page

Mjeshtri Pandush Kapedani: Ja kush duhet të jetë trajner i Skënderbeut në volejboll për femra?!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 7 days ago
  • 2 min read

Edhe pse pritej që gjatë ditës së sotme të bëhej publik emri i trajnerit të ri të skuadrës korçare të volejbollit për femra, ende nuk ka një njoftim zyrtar nga klubi i Skënderbeut. Burime të afërta me klubin konfirmojnë se po zhvillohen diskutime intensive, por deri tani asgjë konkrete nuk është vendosur.


Në lidhje me këtë çështje është prononcuar një nga figurat më të njohura të volejbollit korçar, Pandush Kapedani. Legjenda e këtij sporti në qytetin juglindor nuk ka ngurruar të japë mendimin e tij publikisht dhe madje ka sugjeruar edhe një emër konkret që, sipas tij, duhet t’i besohet drejtimi i skuadrës në këtë moment të rëndësishëm.


"Për mua, trajner i duhur në këtë fazë është Eriols Haxhillari," – ka deklaruar Kapedani. "Ai ka përvojën e nevojshme, ka qenë për vite me radhë pjesë e stafit si zëvendëstrajner dhe njeh shumë mirë si grupin, ashtu edhe realitetin e këtij ekipi. Është një trajner i ri, me formim të mirë sportiv dhe me njohuri bashkëkohore për lojën."


Duke përfituar nga rasti, Kapedani ka hedhur poshtë edhe çdo zë që e lidhte vetë atë me postin e trajnerit të ri. Ai ka qenë i qartë dhe i prerë: “Unë e them publikisht se nuk kam pasur asnjë interesim për atë pozicion. E kam drejtuar këtë ekip, e kam nxjerrë kampion dhe kam bërë gjithçka që munda për të ardhmen e tij. Kam qenë vetë ai që solla trajnerë si Besnik Lisha dhe më pas Orlando Koja. Nuk është aspak në planet e mia rikthimi si trajner.”


Për momentin, Skënderbeu mbetet pa një emër të konfirmuar në krye të pankinës, por tensioni dhe pritshmëritë janë të larta, pasi rikonstruksioni i skuadrës kërkon një figurë që e njeh ambientin dhe që ka besimin e grupit.


“KORÇA BOOOM”



bottom of page