Murtaja e bagëtive mbërrin edhe në Korçë – Situatë që kërkon kujdes të shtuar
- Korca Boom
- Jun 13
- 1 min read
Sëmundja ngjitëse e njohur si "murtaja e bagëtive" është konfirmuar se ka mbërritur edhe në qarkun e Korçës, duke ngritur alarmin në komunitetet rurale dhe tek autoritetet përkatëse. Një ndër vatrat e para të identifikuara në zonë është regjistruar në fshatin Shuec të njësisë administrative Hoçisht, në bashkinë Devoll.
Kjo sëmundje prek kryesisht të imtat dhe gjedhët, dhe përhapet me shpejtësi, duke sjellë pasoja të rënda për tufat dhe ekonominë bujqësore të zonave të prekura. Shërbimi veterinar ka nisur menjëherë ndërhyrjet në terren për izolimin e vatrës dhe për kufizimin e përhapjes së mëtejshme.
Fermerët janë këshilluar të tregojnë kujdes të shtuar, të raportojnë çdo rast të dyshimtë, të ndalojnë lëvizjen e bagëtive dhe të zbatojnë me përpikëri udhëzimet e dhëna nga autoritetet veterinare dhe bashkia. Në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe strukturat e tjera përgjegjëse, janë parashikuar masa shtesë parandaluese, përfshirë edhe fushata vaksinimi në zonat me rrezik të lartë.
Kjo situatë kërkon vëmendje, përgjegjësi dhe bashkëpunim të ngushtë mes fermerëve dhe institucioneve, në mënyrë që të shmanget përhapja e mëtejshme dhe të sigurohet mbrojtja e sektorit blegtoral në qarkun e Korçës.
“KORÇA BOOM”
