Në kujtim të At Todi Jovanit/ Nga: At Andrea Zhurka
- Korca Boom
- Oct 17
- 2 min read
Në kujtim të At Todi Jovanit
Sot me anën e këtij shkrimi në përvjetorin e pestë të largimit nga kjo jetë të at Tod Jovanit, dua të kujtoj dhe të flas për këtë vlerë të spikatur të komunitetit Ortodoks të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës. Për kontributin e jashtëzakonshëm si klerik dhe si edukator i brezave të rinj. I cili përballoi me kurajo dhe patriotizëm edhe vështirësit e kohës.
Çdo nisje ka mundim por ne sot kujtojmë dhe gëzojmë të gjitha arritjet e tij në Kishën Ortodokse. Puna Apostolike e tij është e gjerë dhe e shumë anëshme dhe nuk mjafton ky shkrim për ta paraqitur të plotë atë. Shumë vite rrugëtim, në kërkim të shpirtrave të etur për Zotin, me mijëra hapa për ti gjetur ata dhe për ti shndërruar në komunitet të Krishter, në zbatim të porosis Ungjillore, "Shkoni pra dhe u mësoni gjithë kombeve….”.
Jeta shpirtërore e At Todit ka qënë përpjekje e përditshme për të jetuar sipas vlerave që vinin nga mësimet e Zotit. Dashuria dhe dhembshuria ndaj të gjithë njerëzve, përulësia,drejtësia dhe mirësia. Nuk mendonte vetëm për veten e tij, por edhe për të gjithë të tjerët, sidomos për njerëzit në nevojë.
Ishte gjithmonë i pranishëm në jetën e përditshme të shoqëris për të përhapur jo vetëm me fjalë por me vepra dhe me shembullin e tij personal, frymën e ngrohtë të dashurisë dhe dhembshurisë ndërmjet njerëzve, për të mos i lënë ata të ngrinin nga era e akullt e egoizmit dhe arrogancës, nga indiferenca dhe apatia.
At Todi kishte ndezur kandilin e zemrës së tij në burimin e dritës së vërtetë, sepse vetëm kështu ai ndriçoj veten dhe shumë njerëz rrotull tij. Për shumë vite në kishën që Perëndia e ftoi të baritoj ndërtoj ura të një unitetit që mbeten testament për të ardhmen. Brenda kishës dhe duke i mëshuar idesë se një pyll nuk është i bukur duke pasur vetëm një pemë, por se larmia i jep hijeshi dhe dinamikë, i mban bashkë gjithë Ortodoksët, pavarësisht origjinës etnike dhe gjuhës amtare.
At Todi i njihte dhe i kuptonte konjukturat dhe çfarë arti kërkohej në ato vite për ndërtimin e urave për arritje dhe rezultate. Dhe për më tepër, në një vend me diversitet fetar si ky i yni dhe gjithashtu me faktor të jashtëm që do të investoheshin për përplasje dhe konflikte të natyrës fetare.
I gjithë ky kontribut, kjo përvojë e vyer përbën sot shkollë për përhapjen e besimit të Krishterë, mesazhit të Ungjillit dhe për më të tepër solidaritet dhe përparim të shoqërisë. Mirënjohje për këtë klerik të mençur, për kontributin e tij të vyer, për ndihmën që ka dhënë për edukimin me vlerat më të mira hyjnore njerëzore, shoqërore dhe kombëtare.
Përgatiti:
At Andrea Zhurka.
Kisha e Shën Sotirit Korçë.
Dt.17. 10. 2025
“KORÇA BOOM”



















