top of page

Nga Ervin Petraq Baku/ Egnatia dhe shuplaka e Europës – kur euforia zëvendëson analizën

  • Jul 16, 2025
  • 2 min read

5-0 në Islandë. Një rezultat që nuk është thjesht humbje, por një shuplakë e fortë që na zbriti me këmbë në tokë. Europa nuk të fal, veçanërisht kur entuziazmi pa analizë bëhet udhërrëfyes. Vetëm dhjetë ditë më parë, paralajmëroja: “Kujdes euforinë”.


Dhe sot, fatkeqësisht, ajo që ndodhi me Egnatian është pikërisht pasojë e kësaj mungese qartësie.


Egnatia shkoi në Islandë me ndjesinë e kampiones së Shqipërisë, me fitore minimale nga ndeshja e parë dhe me sytë nga Polonia. Por Breidablik i ktheu me këmbë në realitet. Ishin më të shpejtë, më të organizuar, më të përgatitur – më europianë. Ishin një tjetër nivel. Ishte si të ndesheshin dy epoka.


Egnatia i fitoi të gjitha trofetë brenda vendit, por në Europë nuk mjafton vetëm suksesi vendas. Europa është realitet, jo dekor. Ajo kërkon cilësi, ritëm, organizim dhe mbi të gjitha modesti. Dhe këtu është mangësia më e madhe që kemi.


Fitoret në kampionatin tonë na e zbusin realitetin. Por në fushat europiane nuk ka kompromise.


Disfata në Islandë zbuloi një të vërtetë të hidhur: kampionati shqiptar nuk të përgatit për Europën. Cilësia e lojës është e ulët, infrastruktura mangët, ndërsa ritmi i lojës ndalet shpesh në kënaqësinë e rezultatit afatshkurtër.


Breidablik ishte një pasqyrë që nuk na pëlqeu ta shihnim. Por është pikërisht ajo që na duhet. Për të reflektuar. Për të ndërtuar klube serioze, jo vetëm skuadra. Futbolli shqiptar duhet të mësojë të fitojë në Europë, jo thjesht të shfaqet.


Skënderbeu i dikurshëm e tregoi që është e mundur. Jo sepse kishte emër të madh, por sepse pati vizion, punë dhe filozofi europiane. Derisa këtë filozofi ta përqafojnë edhe klubet e tjera, rezultatet do të mbeten njësoj: të hidhura, të shpejta dhe të përsëritura.


Në Europë nuk ka rëndësi sa ke fituar dje. Atje të gjykojnë për atë që je sot.

“KORÇA BOOM”



bottom of page