Një dëshmi që përfundoi në dhunë, e mitura plagos veten dhe një punonjëse policie
- Korca Boom
- Oct 21
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në Tiranë, ku një vajzë e mitur ka dëmtuar veten me mjet prerës dhe më pas ka goditur një punonjëse policie. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e Policisë, ndërsa e mitura po jepte dëshminë e saj në lidhje me një rast përndjekjeje.
Sipas të dhënave zyrtare, 16-vjeçarja ishte në një gjendje të rënduar psikologjike, pasi dyshohet se ishte përndjekur nga dy persona, njëri prej të cilëve ndodhet aktualisht në paraburgim. Bëhet fjalë për shtetasin J. Ll., 42 vjeç, nga Kavaja, ndaj të cilit janë referuar materiale shtesë në Prokurori nga Komisariati i Policisë Nr. 5.
Gjatë marrjes në pyetje, vajza ka nxjerrë një mjet prerës me të cilin ka vetëdëmtuar veten lehtë dhe më pas ka goditur një punonjëse policie që ndodhej në dhomë. Fatmirësisht, plagët nuk kanë qenë të rënda.
Policia bën me dije se po punohet për identifikimin dhe kapjen e personit të dytë të përfshirë në rastin e përndjekjes, ndërsa hetimet janë ende në vijim për të zbardhur plotësisht të gjitha rrethanat.
Ndërkohë, 42-vjeçari nga Kavaja është proceduar edhe për një çështje tjetër, ku akuzohet për trafikim dhe shfrytëzim të një gruaje për qëllime përfitimi.
“KORÇA BOOM”



















